Asambleja e Konferencës së Rektorëve të institutcioneve të arsimit të lartë në vend u mbodh në një takim në mjediset e Universitetit të Tiranës ditën e sotme, ku u konstitua organi kolegjial “Konferenca e Rektorëve”, në përputhje me Nenin 16 të ligjit 80/2015 datë 22.07.2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në RSH”.
Në konstituimin e këtij organi kolegjial morën pjesë ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dhe Plarent Ndreca, Sekretari i Përgjithshëm i MAS.
Asambleja zgjodhi në mënyrë unanime kryetarin e përkohshëm të Konferencës së Rektorëve, Prof. Dr. Mynyr Koni, Rektor i Universitetit të Tiranës, deri në miratimin e statutit të ri të Konferencës së Rektorëve.
Në këtë kuadër, u ngrit edhe grupi i punës për hartimin e draft-statutit të këtij organi kolegjial. Draft-statuti duhet të miratohet brenda muajit janar 2017.
Miratimi i statutit do të krijojë hapësirat e duhura për zgjedhjen e organeve drejtuese dhe funksionimin e Konferencës së Rektorëve në përputhje me ligjin e arsimit të lartë të sipërcituar. /a.m.