Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, tha sot në një prononcim për Report TV, se në përballimin e situatës së krijuar nga moti i keq, me dëborë dhe temperatura të ulëta, është kërkuar mbështetja e ministrisë së Mbrojtjes.
“Drejtoria e Emergjencave Civile nga dje ka kërkuar mbështetje nga ministria e Mbrojtjes, me kapacitete teknike dhe njerëzore. Që në orët e para të ditës së sotme kanë shkuar përforcime me mjete të ushtrisë në zonat më të prekura nga i ftohti në Veri dhe Verilindje të vendit si, në Malësi të Madhe, Pukë, Kukës, Peshkopi, Bulqizë dhe Tropojë”, tha Prençi.
Gjithashtu, mjetet e ushtrisë, vijoi ai, kanë punuar për hapjen e akseve problematike, mes tyre dhe të Rrugës së Kombit.
Prençi theksoi nevojën e përdorimit në rrugë të kripës dhe skorjeve, që ulin rrezikun që shkaktohet nga akulli. Sipas tij, kompanitë kontraktore, që kanë detyrimin për mirëmbajtjen e akseve, aktualisht nuk i kanë kapacitetet, ndaj Drejtoria e Emergjencave Civile i ka mbështetur ato.
“Kompanitë duhet të kishin siguruar me kohë kripë dhe skorje. Drejtoria e Emergjencave Civile i ka mbështetur ato me kapacitete, pasi ditët në vijim do të jenë me temperatura të ulëta dhe kripa e skorjet janë të vetmet mjete që mund të veprojnë mbi akullin, pasi as traktorët me zinxhirë apo fadromat nuk mund të veprojnë mbi të”, tha Prençi.
Një tjetër masë për të parandaluar bllokimin e rrugëve nga ngricat është dhe përdorimi i boteve me ujë deti, të cilat mund të sigurojnë kalueshmëri në akse.
Ai i bëri sërish thirrje qytetarëve që të evitojnë lëvizjet e panevojshme, sidomos natën, kur reshjet e dëborës kthehen në akull.
“Duhet të ndërpriten lëvizjet e automjeteve, përjashto ato në raste emergjencash, dhe në çdo rast qytetarët duhet të respektojnë këshillat e Autoritetit Rrugor Shtetëror”, tha drejtori i Emergjencave Civile.