Instituti i Shëndetit publik raporton për një fluks në rritje të personave të prekur nga virusi i gripit AH3N2.
Javën e fundit përfshirë dhe ditët e para të viti 2017 përllogariten rreth 19 mijë të prekur, por sërish e konsiderojnë një situatë normale gripi. Në poliklinikat e Tiranës numri i vizitave mjekësore të vegjël dhe rritur arin rreth 100 në ditë. Madje është rritur dhe interesi i pacintëve për të bërë vaksinën antigrip, e cila këtë vit ofrohet falas në qendrat shëndetësore.
“Kam ardhur të interesohem. Unë vuaj nga zemra. kam bërë dy “by passe” dhe mendoj duhet të vaksinohem”, shprehet një qytetar.
Sipas mjekëve patologë, gripi zgjat 5-6 ditë dhe qytetarët duhet të fillojnë trajtimin që në shfaqjen e simptomave të para në kushtet e shtëpisë.
“Vetë në shtëpi. Duke iu referuar shenjave që ka. Mund të jetë me temperaturë, atëherë mund të marrë aniperetikët, nëse është me kollë, atëherë të konsumojë çaj. Por në rast se këto shenja zgjasin më shumë se 3 apo 4 ditë dhe gjendja rëndohet, atëherë duhet me patjetër të paraqiten të mjeku”, shprehet Anila Sevdari, mjeke patologe.
Po kështu, mjekët sugjerojnë konsumim të sa më shumë lëngjeve.
“Të konsumohen perimet dhe frutat me vitaminë C, të qëndrohet shtrirë dhe të evitohen ambientet e mbyllura”, thotë mjekja.
Burime nga Ministria e Shëndetësisë thonë se situata gripale në vend është duke u monitoruar dhe vetëm nëse do të shikohet e arsyeshme do të vlerësohet për një urdhër të dytë për mbajtjen mbyllur të shkollave, kopshteve dhe çerdheve.
Ndërkohë, mediat raportuan sot se si pasojë e gripit sezonal në Shqipëri deri tani kanë humbur jetën 5 të sëmurë kronikë.