Stoku i investimeve të huaja direkte në ekonominë shqiptare tejkaloi për herë të parë shifrën 5 miliardë euro në fund të vitit 2015. Lajmi u raportua nga Banka e Shqipërisë, e cila sqaron se këto janë investime të kryera ndër vite dhe përfaqësojnë shumën e aseteve që zotërojnë aktualisht në ekonominë shqiptare kompanitë e huaja.
Por, cila është origjina e këtyre investimeve? Sipas Bankës qendrore, më shumë se gjysma e kapitalit të huaj në Shqipëri vjen vetëm nga tre vende. Ato janë Greqia, Holanda dhe Kandaja.
Sipas të dhënave, rreth 25% e totalit të investimeve të huaja në Shqipëri kanë ardhur nga kompanitë greke. Në vendin e dytë renditet Holanda me 14%, ndërsa më pas Kanadaja me 13%.
Kapitali i huaj në ekonominë shqiptare ka filluar të zgjerohet me ritme të shpejta, veçanërisht në dekadën e fundit. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pas vitit 2008 Shqipëria ka qenë një nga vendet me fluksin më të lartë të investimeve të huaja direkte në Ballkan, duke thithur mesatarisht 1 miliard dollarë në vit.
Por, pavarësisht ecurisë së fortë në dekadën e fundit, sërish stoku i investimeve të huaja në ekonominë shqiptare mbetet më i ulët sesa ai i vendeve fqinje. Kjo pasi përpara vitit 2008, investimet e kompanive të huaja në Shqipëri kanë qenë minimale.
Sipas ekspertëve, investimet e huaja direkte janë mekanizmi kryesor që transferon teknologjinë e avancuar dhe njohuritë në një ekonomi në zhvillim. Por, gjithashtu ato janë një nga burimet më të rëndësishme të punësimit dhe rritjes ekonomike.tch/a.k