Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka mohuar akuzat për korrupsion duke thënë se nuk ka bërë asgjë të keqe, një ditë pasi u mor në pyetje nga policia për më shumë se tri orë për akuzat për korrupsion.
Netanyahu shkroi sot në Twitter: “Nuk do të ketë asgjë, sepse nuk ka asgjë,”.
Ai, po ashtu u ankua se ai dhe familja e tij janë përndjekur për vite.
“Për vite unë dhe familja ime jemi përndjekur,” ka shkruar ai.
Dje në mbrëmje, hetuesit e morën në pyetje Netanyahun në shtëpinë e vet në Jerusalem, për akuzat se ka marrë dhurata mijëra dollarësh nga biznesmenë të pasur.
Televizioni “Channel 2” i Izraelit ka thënë se Netanyahu kishte pranuar favore nga biznesmenë në Izrael dhe jashtë shtetit dhe se ai është i dyshuari kryesor në një hetim të dytë ku po ashtu përfshihen anëtarë të familjes së tij.
Por, Netanyahu i ka quajtur hetimet përndjekje nga mediat armiqësore./a.m.