Transferimi i Julian Draxlerit nga Wolfsburg te PSG-ja është finalizuar, me anësorin që ka nënshkruar kontratë deri më 2021, transmeton Koha.net.
Muajin e kaluar klubi gjerman kishte konfirmuar se Draxler ishte drejt transferimit te kampioni i Francës, kurse sot PSG-ja e zyrtarizon si lojtarin më të ri të saj.
“Është një kënaqësi e madhe dhe pritje e madhe që i bashkohem PSG-së. Për herë të parë në karrierën time do të zbuloj një vend të ri, një kampionat të ri dhe jam shumë krenar të përjetoj këtë fazë të re në një klub që është bërë referencë në Evropë, që ka rekrutuar lojtarë të jashtëzakonshëm”, është shprehur gjermani për faqen zyrtare të klubit. (b.an)