Tregjet që u hapën këto ditë të para të 2017-s treguan për një rritje të euros. Megjithatë jo çdo herë, dita duket që në mëngjes. Sepse, përgjithësisht, çdo fillim viti, ka tendencë për të ulur ose për të ngritur euron përtej asaj që meriton. Megjithatë, ka një ndjesi se ky vit për monedhën europiane do të jetë një vit historik dhe të gjithë janë me sytë hapur për të parë se çfarë do të ndodhë. Çmimi i madh i vitit është nëse euro barazohet me dollarin.
Kjo ndjesi është përjetuar edhe në Shqipëri pasi, gjatë fundit të vitit, euro dhe dollari shkuan drejt të njëjtës vlerë kundrejt lekut. Në raportin e fundit të bankës qendrore diferenca mes të dyjave ishte vetëm diçka më shumë se 5 lekë.
Shkaqet e brendshme mbeten faktorë bazë për ecurinë e euros në Shqipëri. Por ato të jashtëm duket se do të jenë më të fortë, sepse janë shumë politikë, por edhe mjaft historik për të ardhmen e Shteteve te Bashkuara dhe Evropës.
Për të shuar kuriozitetin e tregjeve dy ngjarjet me të shpejta që do të përcaktojnë kursin euro- dollar do të jenë politika monetare qe do të ndjeke Banka Qendrore europiane dhe, nga përtej Atlantikut, sesi do të jenë treguesit e punësimit dhe rritjes ekonomike në Shtetet e Bashkuara.
Por ato që do të jenë më përcaktuese janë ngjarjet politike. Për analistët fjalimi që do të mbaje Donald Trump në 20 janar, kur të bëjë betimin si presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, do të jetë një ngjarje që nuk kalon pa shenja, pasi më herët, ai ka folur për rishikim të marrëveshjeve që do lëvizin tregjet dhe aleancat ekonomike.
Për Evropën ky është vit elektoral që do të mbërthejnë tregjet që në mesin e marsit, kur të zhvillohen zgjedhjet në Gjermani dhe të vendoset për fatin e Angela Merkel. Ndërkohë, e hapur është edhe çështja Brexit, megjithëse Teresa May është munduar ta shtyje kohën e rishikimit të marrëveshjeve me Bashkimin Europian. Por kjo nuk e dëmton euron.
Në cdo kohë kërcënim mbeten kriza e bankave në Itali dhe kriza a gjatë e borxheve greke. Por çfarë do të thotë kjo për investitorët? Është një vit sfidash historike që kalon përmes zgjedhjeve dhe Brexit. Shqipëria është e vogël po jo aq sa për të mos u ndikuar nga këto ngjarje. Prandaj, sytë dhe veshët janë katër për të parë se çfarë ndodh jashtë oborrit tonë, përgatiti Express. (b.an)