Në muajt e parë të këtij viti do të arrestohen të dyshuarit e parë për krime gjatë dhe pas luftës në Kosovë dhe do të dërgohen për gjykim në Holandë ku është themeluar Gjykata Speciale.
Përpos kësaj ngjarje, politikanët e Kosovës do të përballen edhe me zgjedhjet për Kryetar të Komunave.
Përfundimisht, këtë vit do të nisin gjykimet e para ndaj atyre që dyshohen se kanë kryer krime gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Fjala është për udhëheqësit e UÇK-së, të cilët do të dalin para drejtësisë bazuar në raportin e zviceranit, Dick Marty, i cili raport pastaj ka shërbyer për hetimet e prokurorëve ndërkombëtarë.
Ende nuk dihet saktësisht se kush do të jenë emrat e atyre do të dalin para drejtësisë ndërkombëtare. Disa lista kanë qarkulluar dhe janë përmendur udhëheqësit kryesor të UÇK’së, të kohës së luftës dhe pasluftës.
Prokurori që e ka hetuar dosjen e Martyt kishte konstatuar se aktakuzë s’mund të ketë për trafikim, mirëpo, për krime lufte po. Kishte thënë se është i gatshëm t’i ngritë deri dhjetë aktakuza.
Veç kësaj, sivjet, Kosova do të përballet edhe me zgjedhjet komunale. Ndërsa, ende nuk dihet nëse do të ketë edhe zgjedhje nacionale.
Deri më tani, opozita vazhdimisht ka kërkuar zgjedhje nacionale, por kjo kërkesë është refuzuar nga partitë në pushtet.
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, megjithatë, e ka lënë të hapur mundësinë e shkuarjes në zgjedhje nëse paraprakisht arrihet një marrëveshje.
Ndonëse, testi i parë zgjedhor, ishte Drenasi, ku për herë të parë, PDK ra nën 50 për qind të votave. Partia e Albin Kurtit s’konkurroi fare përballë Ramiz Lladrovcit të PDK’së, ku ai fitoi në raundin e dytë, përgatiti Koha. (b.an)