Në mesazhin e tij me rastin e ndërrimit të viteve, presidenti Nishani ka deklaruar se 2017 duhet të jetë viti ku të kurorëzohen “ngjarjet historike”, siç i ka quajtur ai, të verifikuara në 2016-n.
“2017-a duhet të jetë viti që reforma në drejtësi të flasë me vepra”, ka deklaruar Nishani. Gjithashtu, ka vijuar ai, në vitin 2017 “shqiptarët presin dhe meritojnë zgjedhje të lira e të ndershme”.
Krahas “ngjarjeve historike”, për Nishanin viti që lëmë pas ka patur edhe disa “njolla të zeza”. “Viti 2016 ishte një nollë e zezë përsa i përket kultivimit dhe trafikimit të kanabisit në Shqipëri”, ka thënë Nishani.
Ndër të tjera, në mesazhin e tij presidenti u ka bërë urimet më të mira të gjithë shqiptarëve.
“Sonte është nata e miliona urimeve për një vit më të mirë e më të mbarë. Urimin e parë e kam për fëmijët, që janë bukuria e shtëpive tona dhe shpresa e së ardhmes. Një urim të veçantë edhe për bashkatdhetarët që sonte nuk festojnë pranë familjeve, si dhe për forcat tona ushtarake në Afganistan dhe kudo tjetër”, ka shtuar Nishani.tch/a.k