Qytetarët shqiptarë të mbërritur përmes pikave kufitare në jug të vendit për të festuar ndërrimin e viteve me familjet janë më të paktë në numër krahasuar me një vit më parë.
Drejtoria e Kufirit njoftoi zyrtarisht një numër prej rreth 4500 shtetasish në hyrje përgjatë orëve të natës dhe mëngjesit prej Kakavijës dhe rreth 2600 qytetarë në dalje.
Për ritëm të ulët të qarkullimit në të dy anët e kufirit flasin edhe statistikat zyrtare që i paraprinë festave të fundvitit. Kështu që prej datës 19 dhjetor e deri mëngjesin e sotëm në Shqipëri hynë prej Kakavijës, “Tre Urave” dhe Sopikut rreth 48 mijë shtetas shqiptarë dhe u larguan drejt Greqisë rreth 20 mijë vetë raporton tch. Shifrat janë rreth 30% më të ulëta se një vit më parë. Gati 200 shtetasve gjatë dy javëve të fundit ju është refuzuar hyrja në shtetin grek shumicës për mungesë mjetesh të mjaftueshme financiare, ndërsa policia greke ka deportuar rreth 200 të tjerë që prej mesit të dhjetorit si emigrantë të paligjshëm në Greqi.
Fundviti 2016 është i pari vit kur ende nuk janë shfaqur radhët e gjata në hyrje. Koha maksimale e pritjes gjatë këtyre ditëve ka qenë të rreth një orë dhe kjo sipas autoriteteve për shkak të fluksit të njëkohshëm. Linjat e transportit publik po punojnë më kapacitet të plotë dhe këtë vit ndërsa ka një numër më të ulët automjetesh familjare që qarkullojnë në të dy anët e kufirit kjo edhe për shkak të taksave më të larta të aplikuara për mjetet në Greqi si dhe për shkak të vlerës së shtuar të siguracionit për mjetet.
Pala shqiptare do të vijojë të punojë sipas njoftimit zyrtar me 4 sportele në hyrje dhe katër në dalje ndërsa ajo greke me 3 në hyrje dhe 3 në dalje. Autoritetet këshillojnë që familjet me fëmijë të zgjedhin për të udhëtuar orët e mëngjesit deri në mesditë për të shmangur pritjet dhe evituar orët me temperature negative.
Pritet qe fluksi në dalje të rifillojë mëngjesin e 2 janarit. Për sa i përket prurjeve të emigrantëve shqiptarë bankat e nivelit të dytë flasin për një rritje të lehtë të depozitave, por për tërheqje minimale fondesh për investime.
Prenotimet e bareve dhe restoranteve tregojnë se shumë qytetarë do të festojnë jashtë natën e ndërrimit të viteve./a.m.