Nga Ben Andoni
Vizita e presidentit të Kosovës në një vend mik mund të ishte një epilog i mirë për fundin e vitit sa i përket zhvillimeve të vendit. Por, zoti Thaçi në vizitën e tij në Turqi, përveç se ka ofruar besnikërinë e zakonshme e miqësi historike, ka anatemuar grushtin e shtetit dhe ka kërkuar që bizneset turke të ishin edhe më të pranishme!
Duke hequr atë që politikanët shqiptarë të Tiranës dhe Prishtinës bëjnë zakonisht në protokolle dhe retorikat në takime ndërkombëtare, disa herë duke dashur të ndryshojnë dhe rrjedhat historike, shqiptarët kanë plot një shekull që janë ndarë me trashëgiminë turke. Paçka kaheve pozitive të marrëdhënieve me shqiptarët, predispozitën e mirë të palës turke, ndihmën e saj të madhe në anëtarësimet e Kosovës dhe disa njohje, gatishmërinë e saj në Ballkan për të treguar dorën e miqësisë me vëllezërit e ish-perandorisë, këta të fundit nuk është se ia kanë kthyer kaq pozitivisht. Mjafton një konjukturë që të bjeri ndesh me interesat amerikane dhe atëherë vëllait turk i kthehet lehtë shpina. Shkollat, që administrohen nga përfaqësuesit e Gylenit, janë një tregues sesa binden vende si Kosova dhe Shqipëria për t’i hequr nga vendet e tyre.
Në fakt, këto shkarjet si të vogla të Kosovës dhe Shqipërisë apo akrobacitë e ndryshme kanë sjellë deri ngacmime me miqtë potencialë, ku mes tyre shquhen Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi kryesor garant i pavarësisë së Kosovës. Ky vit, që po lemë, do mbahet mënd gjatë për çudirat në Kosovë, ku mes të tjerash disa qarqe dhe politikanë iu qepën për të hequr deri Ambasadorin e SHBA-së, Delawie, me lloj-lloj akuzash.
Por, Kosova, marrëdhënien me Turqinë e ka kokëçarjen më të vogël, pasi problemi më i madh i 2016 mbetet shkarja e bisedimeve që e lidh me Serbinë. Jo vetëm se përfaqësuesi serb i delegacionit dhe kreu i Zyrës së Kosovës bën vazhdimisht karshillëk, ndërsa nuk e ka fare problem, që të bëjë kundravajtje në Kosovë. Shpesh duke ofenduar institucionet hapur pasi vjen i shoqëruar me zyrtarët e lartë serbë të Qeverisë së Kosovës!!! Një absurd mbi absurdët.
Fryt i këtij qëndrimi, por më shumë forcimit të palës serbe në bisedimet me palën kosovare dhe atëherë kur nuk e mendonte askush, është se serbët kanë ngritur një mur në Mitrovicë, që e ndan edhe de facto etnikisht qytetin, mu në palcë të Evropës. Paçka se parlamenti kosovar ka miratuar në orët e fundit një rezolutë për prishjen e saj, pakkush beson se muri do rrënohet apo serbët nuk do sjellin befasi të tjera. Më e afërmja është ajo që pretendohet në shkurt 2017 për formimin e Asosacionit. Kjo e fundit tashmë fakt i kryer për palën serbe.
Dhe, nuk mbaron këtu! Çfarë është më e keqja tashmë qëndron në faktin se Kosova nuk përballet më me shkaqet por me pasojat. Që do të thotë se të gjithë rrugëtimin e gabuar që po bën sa i përket një dialogu të vështirë që mëtohet se dirigjohet nga Brukseli, ka shkarë në një konflikt politik të mprehtë mes palëve dhe pa zgjidhje dhe me humbjen totale të besimit nga njerëzit, që po vuajnë shumë situatën ekonomike në vend.
Ironia tjetër e madhe e këtij viti ka qenë procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, që përkundrejt pretendimeve të dy partive në fuqi PDK dhe LDK se do mbyllej më 2016, jo vetëm s’ka të ardhme, por nuk ka as edhe një qasje të afërt se çfarë po ndodh. Parashikimet janë po aq të zymta edhe për 2017. Qesharake gjithashtu për ata që ndoqën zhvillimet e Kosovës, ishte dokumentacioni me fjalën e njohur “udhërrëfyes”. Ai përmendej këtë vit si fjalë magjike, por të kuptosh sesa e interesuar ishte Kosova politike, e kupton kur merr vesh se Kosova mbeti pa Ministër Integrimi për muaj me radhë. E sërish paradoksi s’ishte këtu, por në faktin që Kosova ishte e ngarkuar për heqjen e vizave me elementë që vendet e tjera nuk i kishin fare dhe që politikanët vendas pak i referonin. Fundi i vitit 2016 e nxori blof pretendimin e dy figurave kryesore në vend Thaçi dhe Mustafa sa i përket liberalizimit të vizave.
Kosova nuk fakt nuk përmbushi dhe kushtin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi , që përcolli në sipërfaqe të gjithë konfliktet politike dhe edukatë e mangët tekniko-politike. Megjithatë mosratifikimi i saj u përdor paturp nga qeveria Mustafa si justifikim për mos-heqjen e vizave. Presidenti Thaçi megjithatë e ka një shpresë në fillim të vitit të ardhshëm, që duket hapur se do të përballë një arsye tjetër për përçarje të mëtejshme mes faktorit politik.
Kosova ka një ligjërim politik të trishtuar dhe agresiv. Të tillë saqë në ditët e fundit ish-Avokati i Popullit ofendon pa asnjë skrupull zyrtaret femra me fjalët më të rënda. Një gjendje që vetëm në Kosovë mund të haset.
Kosova e vitit 2016 gjendet në një pozitë që është vështirë të shpjegohet, ku mungon transparenca, por ç’është më e keqja nuk respektohet gati asgjë. Sikur të mos mjaftojë kjo, pala serbe minon çdo veprim, kurse pala kosovare është e frikësuar që të parashtrojë thellësisht gjëra për shkak të keqkuptimit nga faktori politik vendas. Të gjithë kundër të gjithëve! Tashmë është fare e dukshme që forca serbe politike në parlament, Lista Srpska vazhdimisht vendos veton kur është puna për çështje vendimtare të politikës kosovare. E të mendosh, si u duk në takimin e saj të fundit në Beograd, kreu de facto dhe de jure i saj është Beogradi dhe Vuçiç.
E ndërsa Serbia po duket gjithnjë më e maturuar në interesat e saj, dhe luan rol vendimtar jo vetëm në punët e brendshme, por edhe të jashtme të Kosovës. Serbët e Kosovës tashmë pengojnë gjithçka kurse drejtimi i tyre është direkt nga Beogradi dhe fare i dukshëm. Madje edhe në dhënien e kodit telefonik, Kosova edhe për t’u integruar në disa organizma ndërkombëtarë duhet të mbartë pëlqimin e Serbisë.
Ajo që u shit në vitet e fundit si ndër sukseset më të mëdha të politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së, madje sa u përmend edhe mundësia që kryeministrat dhe ndërmjetësja të nominohen për çmimin “Nobel” për paqe, dialogu thjesht ka prodhuar disa marrëveshje të zbehta, kurse situata e marrëdhënieve Kosovë-Serbi është tejet më e komplikuar. Kjo ka treguar një anë tjetër të dobët të Brukselit dhe politikave të saj.
Sa i përket zhvillimit të brendshëm, ai është edhe më tragjik. Shumë papunësi, zhvillim ekonomik i mangët, rënie e investimeve të huaja dhe asnjë perspektivë. Kosovarët dhe shqiptarët e Shqipërisë janë rrugëtarët më të njohur të emigracionit kontinental, kurse politikanët vetëm e vetëm pasurohen.
Koalicioni qeverisës mes PDK-së dhe LDK-së jo vetëm po prodhon shumë përçarje dhe asnjë aftësi drejtimi, por e ka të pamundur të kalojë ngërçin që ka filluar qysh me Demarkacionin ku palët mundohen si e si të hedhin fajin njëra-tjetrës dhe të ofendohen pa mëshirë.
Kosova pothuajse nuk ka bërë asnjë hap sa i përket vendeve kryesore evropiane për njohjen, që do të thotë se ajo do të vuajë dhe në të ardhmen. Stanjacioni i njohjeve që pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare kur duhet të ndiqnin njëra pas tjetrës zinxhir njohjesh, është një arsye tjetër që e ka futur Kosovën në një amulli.
Ndërkohë që kjo gjendje ka sjellë afrimin e autoritetit të Gjykatës Speciale, që do të jetë një tjetër grusht për integritetin vendas me akuzat e para, që do nxirren në qershor të vitit 2017. Për ata që se dinë: LDK-së dhe strukturat e saj është prej 26 vjetësh në pushtet në Kosovë kurse PDK-ja prej 17 vjetësh. Ato janë forca që drejtojnë Kosovën dhe fatkeqësisht ka pak gjasa që partitë e tjera t’u afrohen. Edhe në këtë vit nuk priten zgjidhje të parakohshme, sepse është luks për Kosovën të ketë zgjedhje, paçka krizës së madhe politike dhe të ardhmes pa krye…
Duke përfunduar, viti 2017 për Kosovën pritet të sjellë edhe më shumë tollovi dhe më shumë nga të gjitha: kriza për të cilat nuk ka as edhe një zgjidhje nga kjo klasë politike që sot e drejton me aq pak ndërgjegje Kosovën. Alternativat politike, ndërkohë, u duhet të punojnë shumë më tepër, që të ndryshojnë këtë situatë, që duket krejt pa zgjidhje. Një shenjë u dha në Drenas, por ajo u fashit. (Javanews)