Dashamir Tahiri ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për shpalljen e pavlefshmërisë për mandatin e tij në kuadër të ligjit për dekriminalizimin.
Në një komunikim me gazetarin e News 24 dhe BalkanWeb, Enrik Mehmeti, Tahiri thotë se vendimi i sotëm i KQZ-së është politik dhe dëmton figurën e tij.
“Që në fillim të këtij procesi është parë qëndrimi politik. Mazhoranca në KQZ nuk ka respektuar ligjin por kanë marrë vendim politik për të më dëmtuar mua dhe opozitën si dhe për të vendosur baraspesha të papranueshme në këtë proces. Sfidoj këdo prej anëtarëve të KQZ që kanë sadopak integritet personal dhe profesional që të më gjejnë vetëm një element të ligjit për të bërë të pavlefshëm mandatin
tim.
Ai thotë se nuk do ta lërë me kaq, por do ndjekë çdo rrugë ligjore për të shkuar tek e vërteta.
“Kjo është një betejë që më shumë se politike ka të bëjë me dinjitetin personal të votuesve të Vlorës dhe komunitetit çam që më ka mbështetur, për të cilën detyrohem ta ndjek këtë çështje deri në fund, në rrugë ligjore për të zbardhur të vërtetën. Mandati im nuk është i KQZ dhe as i lojërave politike, por i votuesve të Vlorës”./a.m.