Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi në Prokurori 10 punonjës të zyrës së regjistrimit të pasurive në Lushnjë, pasi abuzuan me regjistrimin e pronave. Kontrolli i Lartë i Shtetit informoi se në Prokurori janë kallë- zuar 4 ish-regjistrues, 5 specialistë dhe ish-specialistë të Hipotekës në Lushnjë.
Po ashtu Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi në Prokurori edhe 3 anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të Njësisë Administrative Maqellarë në Dibër, për shkelje të barazisë në procedurat e prokurimit dhe favorizim të operatorëve ekonomikë privatë.
Referuar raportit të KLSHsë për Lushnjën, nga shkeljet e zbuluara u konstatua një rast për një tokë ullishte me sipërfaqe 3 mijë metra katrorë e regjistruar në mënyrë abuzive, pa u konfirmuar pronësia nga Agjencia e Trajtimit të Pronave. Nga auditimi në 2 zona kadastrale, u konstatua se ishin kryer regjistrime të objekteve të përfituara nga privatizimi në mungesë të kontratave të marrëdhënieve me truallin (kontratat e qirasë) dhe pa likuidimin total të vlerës së objektit, duke shkaktuar dëm ekonomik për buxhetin e shtetit në shumën 61,912,800 lekë.
Në një rast rezultoi se është regjistruar një pasuri, ndërtesë 138 m2 , pa pasur origjinë pronësie e leje ndërtimi. Po ashtu nga auditimi i regjistrimit të një pasurie, rezultoi që nuk është bërë saktësimi i sipërfaqeve sipas librit të ngastrave (LN)/Aktit të marrjes së tokës në pronësi (AMTP), duke përfituar më tepër një sipërfaqe prej 4063 m2 .
Sipas KLSH-së, zyrtarët e Hipotekave të Lushnjës kanë abuzuar edhe në tri raste të regjistrimit të pasurive me sipërfaqe totale 74.214 m2 “arë”, ku rezultoi se mungonin AMTP-të, duke ligjëruar në këtë mënyrë kryerjen e veprimeve absolutisht të pavlefshme.
Po ashtu sipas KLSH-së, në 5 raste janë kryer pranime të dokumentacionit dhe regjistrime të pasurive të paluajtshme me të meta e mangësi, si: kërkesat e personave të interesuar nuk janë të regjistruar në protokollin e ZVRPP Lushnje; mungojnë relacionet për verifikimin në vend të kërkesave qytetare, të cilat duhej të dokumentoheshin me pagesën për këtë qëllim; nuk janë verifikuar elementët e formës dhe të përmbajtjes së aktit administrativ.
Panorama/d.i.