Shkodran Metaj tërhiqet nga procesi gjyqësor që kishte hapur në CAS ndaj Flamurtarit. Kosovari ka arritur një marrëveshje me drejtuesit e klubit, të cilët kanë vendosur ta paguajnë për detyrimet. Përpara dy javësh, Metaj mësohet se ka marrë pjesën e parë të këstit, ndërsa të dytin pritet ta marrë në janar. Ky është edhe një lajm i mirë për Flamurtarin, i cili mund të rrezikonte heqje pikësh nga ky borxh.
Gjithçka është konfirmuar ekskluzivisht për “Panorama Sport” nga vetë futbollisti. “Kemi arritur një marrëveshje me drejtuesit e Flamurtarit për çështjen e pagave të prapambetura. Siç e dini ju, pasi jam prononcuar edhe më parë për gazetën tuaj, unë çështjen e kisha çuar në FIFA dhe CAS. Drejtuesit e klubit të Flamurtarit kanë komunikuar me mua për t’u tërhequr nga padia ime dhe kemi nënshkruar një marrëveshje. Ata komunikuan edhe me avokatin tim dhe ramë dakord.
Gjetëm konsensusin për këtë çështje. FIFA më dha të drejtë, por kjo çështje nuk ishte zgjidhur nga Flamurtari. Pas kësaj, e çova çështjen në CAS. Në këto kushte ka pasur një reagim nga drejtuesit e Flamurtarit, të cilët kanë hyrë në bisedime me mua dhe avokatin tim. Arritëm më në fund marrëveshjen. Më vjen mirë që marrëveshja u arrit, pasi edhe Flamurtari nuk u penalizua”, tha Metaj.
Çfarë kërkonte
Kosovari Shkodran Metaj ka qenë më i paguari te Flamurtari. Gazeta zbulon se kontrata e tij në sezon ishte 90 mijë euro. Mësohet se Metaj kërkonte nga Flamurtari 7 muaj rroga të prapambetura nga sezonin 2014-2015, por edhe dëmshpërblimin për prishjen e njëanshme të kontratës, e cila ishte deri në vitin 2016. Lojtari kosovar kërkonte edhe një vit sipas kontratës, domethënë të paguhej për të gjithë sezonin deri në vitin 2016.
Pra, 7 muaj paga për sezonin 2014- 2015 dhe të paguhej deri në qershorin e vitit 2016, për prishje të njëanshme të kontratës, ishin kërkesat e kosovarit Metaj, i cili më herët paditi Flamurtarin në FIFA dhe tashmë tërhoqi padinë nga CAS.
E ardhmja
Shkodran Metaj e cilëson kampionatin shqiptar si futboll dallaveresh. Kosovari thotë për gazetën se nuk do të kthehet më në Kategorinë Superiore. “Jo, jo. Nuk kthehem më në Shqipëri. Më ka shkuar dëm karriera në Superiore dhe ajo aventurë më dëmtoi shumë. Lojtarët janë shumë të mirë në kampionatin shqiptar, ndaj unë u uroj suksese. Por, nëse duan që kampionati shqiptar të shkojë përpara dhe të kenë sukses, drejtuesit e klubeve duhet të respektojnë kontratat e lojtarëve dhe duhet që të jenë të rregullt me pagesat. Mendoj se në Shqipëri është kampionati i dallavereve”, u shpreh Metaj.
Lojtari kosovar ndalet edhe tek e ardhmja e tij, ndërsa thotë se nuk kthehet më në Shqipëri. “Pasi jam larguar nga Flamurtari, nuk kam luajtur për një vit, pasi drejtuesit e klubit vlonjat nuk më kanë dhënë lejen që të mund të luaja diku tjetër. Tani jam duke luajtur në Ligën e Tretë në Holandë te klubi HHC. Kam disa oferta që në janar të shkoj në Ligën e Dytë, këtu në Holandë, por ende nuk kam vendosur gjë. Jam duke i shqyrtuar si oferta”, përfundon Metaj.
Flamurtari rrezikonte pikët
Në rast se Flamurtari dhe Shkodran Metaj nuk do të gjenin gjuhën e përbashkët për pagesat e prapambetura, rrezikonte që të kishte më pak pikë. CAS dhe FIFA mund të merrnin vendime drastike mbi klubin vlonjat, i cili deri tani ka gjashtë pikë më pak si dënim nga Federata Shqiptare e Futbollit, për faktin se nuk pagoi disa paga të prapambetura të disa futbollistëve.
PanoramaSport/d.i.