Eleni Kocaqi, gruaja e Marjan Levantit, ka denoncuar ish-vjehrrën, nga e cila kërkon mbrojtjeje për vete dhe djalin 8-vjeçar.
Pedagogia dhe historiania e njohur, prindërit dhe vëllai i së cilës u plagosën të premten nga ish-bashkëshorti i saj, ka kërkuar urdhër mbrojtjeje në Polici. Me pretendimin se nëna e autorit të plagosjes së trefishtë, Marjan Levantit, ka tentuar t’i marrë me forcë djalin e mitur nga shtëpia, Kocaqi i është drejtuar për ndihmë Policisë, duke bërë kallëzim në Komisariatin nr.6.
Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se 41- vjeçarja Eleni Kocaqi është paraqitur pasditen e së dielës në Komisariat, ku ka kërkuar edhe plotësimin e një kërkesëpadie për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.
Në deklarimet e saj, historiania është shprehur se ish-vjehrra ka shkuar në shtëpinë e prindërve të saj, ku ajo jeton momentalisht me fëmijët, ku ndodhi edhe krimi i së premtes dhe në mënyrë të padrejtë ka dashur t’i marrë djalin 8 vjeç, D.L.
Nga ana tjetër, ajo u ka thënë oficerëve të Policisë se nëpërmjet djalit, e ëma e autorit të krimit, Afërdita Levanti, po i bën presion në mënyrë që të tërheqë denoncimin për ngjarjen e ndodhur.
“Më datë 25 dhjetor u referuan materialet në Prokurorinë e Tiranës për shtetasen Afërdita Levanti, 59 vjeçe, pasi dyshohet se ka tentuar t’i marrë në mënyrë të padrejtë fëmijën D.L., 8 vjeç, bashkëshortes së djalit, Eleni Levanti (Kocaqi), 41 vjeçe, së cilës iu plotësua kërkesëpadia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.
Materialet i kaluan Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, tha dje zyrtarisht Policia e Tiranës.
E PADITURA
Pas kallëzimit dhe kërkesës për urdhër mbrojtjeje të Eleni Kocaqit, shërbimet e Komisariatit nr.6 kanë thirrur për të marrë në pyetje edhe palën e paditur, ish-vjehrrën e saj, Afërdita Levantin.
Nga ana e saj, nëna e Marjan Levantit, autorit të dyshuar për plagosjen e trefishtë që ndodhi të premten në Unazën e Re, ka mohuar akuzat dhe pretendimet e 41-vjeçares raporton Panorama.
Gruaja e denoncuar ka deklaruar në Polici se nuk ka tentuar të bëjë asnjë veprim të dhunshëm, me forcë apo të padrejtë, ndaj ish-gruas së djalit, apo nipit e mbesës së saj. Afërdita Levanti ka treguar se ka qenë nipi 8- vjeçar që i ka telefonuar dhe i ka kërkuar që të shkojë ta takojë, pasi ishte i mërzitur.
Ajo ka treguar se menjëherë sapo ka dëgjuar nipin që po qante nga ana tjetër e telefonit, ka shkuar te shtëpia e ishkrushqve dhe në atë moment është përballur me Eleni Kocaqin.
Po ashtu, ajo ka mohuar edhe që t’i ketë bërë presion apo t’i ketë kërkuar në çdo formë që ajo të tërheqë denoncimin ndaj djalit, pasi sipas saj është e vetëdijshme se një krim i trefishtë nuk mund të zhbëhet nga tërheqja e denoncimit.