Senatori republikan Lindsey Graham ka thënë sot se Rusia duhet ta kuptojë se e ka tepruar duke kaluar çdo kufij gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA. “Është koha që Rusia ta kuptojë se mjaft është mjaft,” ka thënë senatori i South Carolina, Graham gjatë një vizite në kryeqytetin e Letonisë, transmeton Express.
Në fillim të këtij muaji, senatorët republikanë dhe demokratë, përfshirë dhe Graham, bën thirrje për krijimin e një paneli dypartiak për t’i hetuar sulmet kibernetike ndaj Shteteve të Bashkuara nga vendet e huaja, e veçanërisht nga Rusia, e cila dyshohet se ka bërë përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Zyrtarët rusë i kanë mohuar akuzat se kishin ndërhyrë në zgjedhjet e 8 nëntorit. “Mund të prisni nga Kongresi që ta hetojë ndërhyrjen ruse në zgjedhjet tona dhe do të ketë sanksione dypartiake të cilat do ta godasin fort Rusinë, në veçanti Putinin si individ,” ka thënë Graham, përgatiti “Express”. (b.an)