Buxheti i vitit të ardhshëm është botuar në Fletoren Zyrtare dhe do të hyjë në fuqi nga 1 Janari 2017. Vetëm një ditë më pare ligji i buxhetit u dekretua nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.
Buxheti, i cili do të jetë efektiv që në ditët e para të vitit të ardhshëm është cilësuar si buxheti i konsolidimit të rritjes ekonomike, financimit të reformave, uljes së borxhit dhe rritjes së pagave e pensioneve. Një fokus të veçantë buxheti i ri i kushton qytetarëve dhe masave në favor të rritjes së përfitimeve të tyre.
Sipas tabelës përkatëse të treguesve fiskalë, të ardhurat e parashikuara për vitin e ardhshëm në buxhetin e shtetit janë në vlerën e 436.4 miliardë lekë, shpenzimet në vlerën e 467.5 miliardë lekë duke llogaritur një deficit buxhetor prej 31.1 miliardë lekë, raporton Scan Tv.
Referuar këtyre të dhënave, të ardhurat kryesore synohen të realizohen nga ato tatimore në vlerën 398.2 miliardë lekë, nga pushteti vendor 40.9 miliardë lekë, nga fondet speciale 83.4 miliardë lekë dhe të ardhurat jotatimore në vlerën e 24.4 miliardë lekëve.
Ndërsa, shpenzimet e buxhetit të shtetit gjatë vitit të ardhshëm që janë planifikuar 467.1 miliardë lekë, do të fokusohen kryesisht në shpenzimet korrente në vlerën e 390.1 miliardë lekë, ato për fondet speciale në 162.1 miliardë lekë, shpenzimet për buxhetin vendor 40.9 miliardë lekë.
Ndërsa, për shpenzime kapitale, ose siç njihen ndryshe shpenzimet për investime publike planifikimi është në vlerën e 74.4 miliardë lekëve. Deficiti buxhetor do të njohë ulje gjatë vitit të ardhshëm, ku sipas këtij drafti do të jetë 31.1 miliardë lekë, ndërkohë që financimi i tij do të jetë 20.2 miliardë lekë huamarrje e brendshme dhe vetëm 10.9 miliardë lekë huamarrje e jashtme.
Buxheti për vitin 2017 është:
Të ardhurat 436. 4 miliardë lekë
Shpenzimet 467. 5 miliardë lekë
Deficiti 31,1 miliardë lekë