Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në një takim të zhvilluar me familjarë të prekur nga përmbytjet në zonën e Fushë-Krujës. Rama deklaroi se qeveria ka marrë përsipër jo vetëm dëmshpërblimin e familjeve të prekura, por sipas tij kanë filluar investimet për parandalimin e katastrofave në të ardhmen. Ai nuk la pa sulmuar paraardhësin e tij në qeveri, që sipas Ramës jo vetëm nuk bëri asgjë për parandalimin e katastrofave, por shkatërroi edhe malet e zonës duke dhënë liçenca guroresh pa kriter.
“Siç ja hëngri malet Saliu Krujës, asnjë sulltan, dhe të gjithë së bashku nuk i’a hëngrën. Malet i gjetën aty dhe i lanë aty. Ndërkohë që një zonë kaq e rëndësishme, dhe pikë e mrekullueshme nga bukuria natyrore, në 20 e kusur vite u kthye në një platformë guroresh e çimentoje ku mund të kenë fituar pak njerëz. Mund të jenë punësuar edhe shumë njerëz por ka humbur gjenerata tjetër dhe ka humbur vite të tëra e gjithë kjo zonë. Ne sot kemi filluar ta rikuperojmë duke qenë të vetëdijshëm se duihet të ruajmë disa ekuilibra të ekonomisë dhe punësimit. Një gjë është e sigurtë që ajo që kemi thënë do të bëhet. Dhe çka ne kemi bërë për Krujën nuk do jetë e pa krahasueshme me çfarë u bë në 20 e kusur vitet e shkuara”, tha Rama.
Më tej Rama ripërsëriti premtimin për dëmshpërblimin e plotë të gjithë familjeve të prekura nga përmbytjet.
“Jemi këtu për t’u thënë të gjitha familjeve që u prekën nga përmbytjet se jo vetëm ne nuk i harruam, por para mbylljes së vitit do t’i dëmshpërblejmë një për një”, tha Rama./a.m.