Ish-zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Iljas Labi është një tjetër ish-zyrtar i lartë, i dyshuar për korrupsion, që po tenton të lërë qelitë e paraburgimit me pretendimin se i rrezikohet jeta në qeli, pasi vuan nga probleme të rënda shëndetësore.
Një javë më parë, ish-drejtuesi i dikasterit të Burgjeve, i cili u vu në pranga pas dyshimeve për abuzime me tenderin e ushqimeve iu drejtua gjykatës për Krime të Rënda, me kërkesë për revokimin e masës së sigurisë.
Gjykata administroi si provë kryesore kartelën mjekësore të të paraburgosurit Labi, dhe caktoi një ekspert mjekësor, për të ekzaminuar gjendjen shëndetësore të Iljas Labit dhe për të dhënë mendimin e tij nëse izolimi në paraburgim vë në rrezik jetën e tij.
Pak ditë më parë, ish-zyrtari i lartë i burgjeve është paraqitur me shqetësime në spitalin e burgut dhe pasi është ekzaminuar dhe ka marrë ndihmën mjekësore nga mjekët e institucionit, është transferuar sërish në paraburgimin Mine Peza.
Emri i Iljas Labit, i bashkëngjitet listës së gjatë të ish-zyrtarëve të lartë apo njerëzve të drejtësisë, të cilët me pretendimin se vuajnë nga probleme shëndetësore, kërkojnë lirimin nga burgu.
BW/d.i.