Ngushtohet laku për zyrtarët e çdo niveli dhe për njerëzit e botës së krimit, të cilët kanë investuar dhe po investojnë paratë e pista në pasuri të paluajtshme. Byroja Kombëtare e Hetimit, superstruktura që do të hetojë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta në Shqipëri, do të marrë në dorë informacionet për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizimit në Shqipëri.
Shërbimi Informativ Shtetëror dhe autoritetet e tjera kompetente tashmë do të jenë të detyruara që të shkëmbejnë informacionet që disponojnë si dhe të lidhin marrëveshje me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorinë e Posaçme, për çështjet e pastrimit të produkteve të veprës penale ose të financimit të terrorizmit.
Kështu parashikon projektligji i hartuar nga ekspertët e nivelit të lartë të misionit EURALIUS, i cili është depozituar në komisionin e posaçëm për Reformën në Drejtësi. Projektligji ndryshon ligjit nr. 9917, datë 19.5.2008 për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke e harmonizuar me legjislacionin për ngritjen e institucioneve të reja anti-korrupsion.
Duke ndryshuar nenin 22 të ligjit në fuqi, projektligji dyfishon institucionet, të cilat do të administrojnë dhe përdorin informacionin për subjektet që pastrojnë paratë e pista. Përpos Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit, dosjet e parave të pista do të ndahen edhe me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorinë e Posaçme.
Sprova e madhe
Byroja e Hetimit, për shkak edhe të kompetencave të parashikuara në ligjin për SPAK, do të ketë rol kryesor sa i takon përdorimit të informacionit për lëvizjen e parave të pista, në funksion të goditjes së zyrtarëve të përfshirë.
Pas miratimit të ndryshimeve ligjore në Parlament, Byroja Kombëtare e Hetimit do të jetë para një sprove të fortë, sa i takon zbulimit të rrugës dhe destinacionit të qindra milionë eurove, të vjedhura me privatizimet, rimbursimet fiktive, falsifikimet e mëdha, gjobat ndaj investitorëve të huaj etj.
Vetëm me anë të privatizimit të OSSH është shkarkuar një dëm prej 414 milionë euro.
Angazhimi i britanikëve
Britania e Madhe ka vënë në lëvizje një delegacion për intensifikimin e luftës kundër evazionit fiskal dhe pastrimit të parave në Shqipëri.
Disa ditë më parë, delegacioni ka zbarkuar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, ku kanë zhvilluar një takimi me drejtorin z. Alket Hyseni. Pjesë e delegacionit ishin edhe dy ekspertët; Jonathan Fisher dhe Anita Clifford, të Qendrës së Krimit Zyrtar.
Delegacioni kryesohej nga zëvendësambasadori i Ambasadës Britanike, Z. Sean Melbourne, ndërsa përfaqësuesit e tjerë ishin nga Ministria e Jashtme, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar.
Qëllimi i vizitës së këtij delegacioni është për të parë mundësinë se ku mund të ndihmojnë vendin tonë sa i përket luftës kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Sipas Zv. Ambasadorit të Ambasadës Britanike, DPPPP është institucion i një rëndësie të veçantë për vetë funksionet që ka.
Fushat në të cilat u fokusuan përfaqësuesit e delegacionit konsistonin kryesisht mbi asistencën me ekspert të fushës nga Britania e Madhe, bashkëpunimi kombëtar dhe ndërkombëtar, përmirësimi i legjislacionit etj.
Veprat penale në kompetencë të Byrosë dhe Prokurorisë së Posaçme
- Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.
- Korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë, dënohen me burgim, nga gjashtë muaj gjer në tre vjet
- Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë, dënohen me burgim nga një vit deri në katër vjet.
- Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë, dënohen me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
- Çelja e depozitave ose e llogarive bankare, anonime ose me emra fiktivë, dënohet me burgim deri në tre vjet.
- Genocidi, dënohet jo më pak se dhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
- Krime kundër njerëzimit, vrasjet, zhdukja me forcë, shfarosjet etj., dënohen jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
- Krimet e luftës, si vrasja, keqtrajtimi ose dëbimi, dënohet jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
- Vrasja për gjakmarrje, dënohet jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
- Vrasjet në rrethana të tjera cilësuese, dënohet jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm.
- Vrasja e funksionarëve publikë, dënohet me burgim jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
- Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit.
- Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare.
- Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit, burgim jo më pak se njëzet vjet dhe, kur është shkaktuar vdekja, me burgim të përjetshëm.
- Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, dënohet deri në pesëmbëdhjetë vjet, kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen, dënohet me burgim të përjetshëm.
- Trafikimi i personave të rritur, dënohet nga dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
- Rrëmbimi i avionëve, anijeve dhe mjeteve të tjera, dënohet nga dhjetë gjer në njëzet vjet.
- Trafikimi i të miturve, dënohen nga dhjetë deri në njëzet vjet.
- Atentati, dënohet jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
- Komploti, dënohet nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
- Kryengritja, nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë vjet, udhëheqësit me burgim të përjetshëm.
- Vepra me qëllime terroriste, jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
- Financimi i terrorizmit, jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
- Fshehja e fondeve dhe e pasurive të tjera, që financojnë terrorizmin, jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.
- Rekrutimi i personave për kryerjen e veprave terroriste, jo më pak se dhjetë vjet.
- Stërvitja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste, jo më pak se shtatë vjet.
- Thirrja publike për kryerjen e veprave me qëllime terroriste, nga katër deri në dhjetë vjet.
- Prodhimi i armëve luftarake, nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
- Organizata terroriste, dënohet nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
- Banda e armatosur, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
- Nxitja e urrejtjes ose grindjeve, dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet.
- Pjesëmarrja në veprime luftarake në një shtet të huaj, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
- Organizimi për pjesëmarrje në veprime luftarake në një shtet të huaj, dënohet nga tetë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
- Thirrja për pjesëmarrje në veprime luftarake të dhunshme në një shtet të huaj, dënohet me deri në tre vjet.
- Trafikimi i armëve dhe i municionit, dënohet nga dhjetë gjer në njëzet vjet.
- Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive, dënohet nga dhjetë gjer në njëzet vjet.
- Trafikimi i narkotikëve, dënohen me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.
- Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale, dënohet nga 10 deri në 20 vjet.
- Organizata kriminale, dënohet me burgim nga katër deri në tetë vjet.
- Grupi i strukturuar kriminal, dënohen me burgim nga tre deri në tetë vjet.
ma.me