Një 29-vjeçare, e cila shkoi për t’i bërë trajtim fytyrës, ka mbetur e plagosur nga pakujdesia e estetistes, të cilën e ka denoncuar në Polici për mjekim të pakujdesshëm.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e së shtunës, kur shtetasja me iniciale E.D. ka pësuar djegie dhe dëmtime në fytyrë gjatë trajtimit në sallonin estetik të shtetases Lumnie G., 58 vjeç. Ajo, madje, është paraqitur edhe në spital për të marrë ndihmën e nevojshme, pasi djegiet sipas saj kanë qenë të padurueshme.
Pasi ka marrë ndihmën e parë në spital, ajo është paraqitur në Komisariatin nr.3, ku ka denoncuar shtetasen Lumnie G. për atë që i kishte ndodhur. Burimet thanë se vajza e dëmtuar ka pësuar plagë në fyturë si pasojë e pakujdesisë së estetistes e për pasojë ka nisur procedimi penal për akuzës “plagosje e lehtë me dashje”.
E dyshuara për ngjarjen është marrë në pyetje nga oficeri i Policisë, menjëherë pas kallëzimit që ka bërë e dëmtuara, duke u shprehur se ngjarja ka ndodhur për shkak të pakujdesisë. Ndërsa mësohet se ajo ka shprehur dëshirën që kjo situatë të zgjidhej mes saj dhe klientes, pasi ishte e gatshme të mbulonte të gjitha shpenzimet e saj mjekësore për dëmin që i kishte shkaktuar.
Në dëshminë e saj, e dyshuara ka treguar se produktet që ka përdorur për trajtimin e fytyrës së 29- vjeçares, kanë qenë brenda të gjitha parametrave, megjithatë ka pranuar se trajtimi ka zgjatur më shumë minuta se ç’duhej dhe për këtë arsye ka ndodhur incidenti. Burimet thanë se 58-vjeçarja është marrë nën hetim dhe materialet në ngarkim të saj i janë referuar Prokurorisë së Tiranës.
“U referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasen L.G., 58 vjeçe, banuese në Tiranë, me profesion estetiste për femra, pasi dyshohet se në sallonin estetik ka trajtuar fytyrën e klientes E.D., 29 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila më pas ka pasur djegie e dëmtime në fytyrë. Neni 89 i Kodit Penal”, tha zyrtarisht Policia.
Panorama/d.i.