Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka nisur procedurat për përcaktimin e një çmimi të ri për bizneset që furnizohen nga rrjeti 35 kilovolt, i cili do të jetë më i lartë se aktuali. Çmimet e reja, që do të hyjnë në fuqi vitin që vjen, do të jenë të vlefshme për bizneset që nuk do të gjejnë një furnizues të ri.
Ligji i ri i energjisë i detyron këto biznese të dalin nga rrjeti publik i furnizimit në datën 1 janar të vitit që vjen. Por, nëse ato dështojnë të gjejnë një furnizues të ri dhe do të vijojnë të përdorin OSHEE-në si mundësi të fundit, do ta paguajnë energjinë me një çmim më të lartë.
Aktualisht janë evidentuar 82 konsumatorë të mëdhenj të energjisë nga rrjeti 35 kv, të cilët sapo të pajisen me sistemin e ri matës, do të nxirren në tregun e lirë të energjisë dhe për rrjedhojë nuk do të jenë të mbrojtur nga çmimet e tregut.
Ekspertët e sektorit rekomandojnë që këto biznese, deri në krijimin e Bursës së Energjisë, duhet të prokurojnë energjinë, duke bërë kërkesa në shumë operatorë dhe të lidhin kontrata furnizimi të paktën njëvjeçare. Në këtë mënyrë, ata kanë mundësi të shmangin luhatjet e çmimeve në treg gjatë vitit.
Bizneset do të jenë të ekspozuara ndaj rritjes së çmimit të energjisë, sidomos në kohë thatësire, pasi furnizimi i vendit në këto periudha është i varur tërësisht nga importet. Nëse KESH-it i duhet të blejë energji me çmim 120 euro megavatori, siç ka ndodhur në vitin 2011, sigurisht që edhe bizneset janë të ekspozuara nga çmimet e larta, nëse kjo ngjarje përsëritet.
BW/d.i.