Marrëdhënia e ngrirë mes kryebashkiakes së Shkodrës dhe kryeministrit Edi Rama po dëmton interesat e qytetarëve shkodranë. I këtij mendimi është kryetari i PS-së për këtë bashki, Arvit Osja. Në një intervistë për Shqiptarja.com, ai shprehet se Ademi po prodhon një konflikt artificial për të krijuar kredibilitet për Partinë Demokratike.
Kreu i PS-së në Shkodër thotë se PD po e përdor bashkinë Shkodër si kurban të opozitarizmit, pasi nuk ka kauza të tjera. Arvit Osaj ndalet po edhe në largimin e Mimoza Hafizit, deputetes së Shkodrës nga Partia Socialiste. Ai vlerëson rolin e saj në PS ndër vite, por apelon që ish-socialistja të mos hedhë baltë mbi selinë rozë. Kreu i PS-së Shkodër është ndalur edhe në çështjet organizative paraelektorale të degës së partisë që ai po drejton për në zgjedhjet e 18 qeshorit.
Ju jeni zgjedhur kryetar i PS-së për një bashki si Shkodra. Është një zonë tradicionalisht e orientuar djathtas. Si do të maksimalizoni votat tuaja aty?
Po, që prej muajit maj socialistët e bashkisë Shkodër me nderuan me besimin e tyre për t’i drejtuar në çështjet organizative dhe politike të funksionimit të përditshëm, si dhe të fuqizimit drejt betejës së ardhshme elektorale. Miti i Shkodrës si zonë e djathtë ka rënë qysh prej zgjedhjeve të vitit 2013, kur qarku ynë theu epërsinë e demokratëve, duke marrë 6 deputetë, një më shumë se opozita. Në këtë këndvështrim, Shkodra nuk duhet të quhet më një bastion i djathtë, por një qark i cili me qytetari dhe mençuri di të vlerësojnë alternativën më të mirë qeverisëse. Këtë bëri në 2013, këtë do të bëjë edhe në 18 qershor 2017. Strukturat e PS-së në Shkodër, 11 kandidatët e Partisë Socialiste, drejtuesi politik i qarkut, Ditmir Bushati, unë si kryetar i partisë në bashkinë Shkodër dhe kushdo që do të japë kontributin në fitoren e ardhshme, do të dalim para qytetarëve shkodranë me listën jo të vogël të investimeve konkrete që qeveria “Rama” ka bërë në bashkinë dhe qarkun tonë. Kjo tabelë investimesh direkte, së bashku me tablonë makro të qeverisjes thellësisht reformuese do të na ndihmojë të konfirmojmë mbështetjen e Shkodranëve pa asnjë diskutim.
Cilat janë objektivat tuaja për zgjedhjet e ardhshme?
Objektivat tona janë të qarta: të rritemi! Këtu nuk e kam fjalë tek shtimi i radhëve dhe i disa votave më shumë. Kjo është pak, por e sigurt. Nën drejtimin politik që po i bën qarkut, Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, jemi duke punuar fort me anëtarësimet e reja, e po kështu me respektimin e kujtdo që një kohë të caktuar, të vogël apo të madhe, ka vendosur t’ja kushtojë subjektit tonë politik. Ne jemi të kujdesshëm, që intelektualët, njerëzit me ide dhe energji, ekspertët e fushave të caktuara t’i afrojmë pranë vetes, t’i respektojmë dhe të kemi nderin të përmirësohemi në programet dhe praktikat tona qeverisëse bazuar në eksperiencën e tyre. Në këtë këndvështrim, për ne është e padiskutueshme ruajta e rezultatit të vitit 2013, por pse jo, së bashku edhe me bashkitë e tjera të qarkut, të makzimalizojmë mundësitë për të shtuar mandatet.
Jeni ambicioz për të qenë në listën e ardhshme elektorale?
Të jesh ambicioz, nuk është mëkat. Të mos jesh i tillë, s’mund të luash në fushën e politikës. Por, për t’u kthyer direkt dhe qartë tek pyetja juaj: Jo, unë nuk kam ambicie për të qenë deputet në vitin 2017. Unë kam pasur një rritje graduale në PS, me moshë dhe me funksione. Nga anëtar i thjesht, u bëra me kalimin e viteve kryetar dege. Besoj se kam akoma nevojë për tu përmirësuar në fushën time, për të marrë eksperiencë administrative në nivel lokal, dhe jam fort i përqendruar të mos zhgënjej askënd në besimin që më ka dhënë. Jam ende i ri dhe nuk besoj se mosqenia ime në listën e fituesve apo kandidatëve për deputetë, do të jetë një humbje për legjislativin. Nuk është ky meraku im. Meraku im i vetëm është që asnjë socialist shkodran të mos ndihet i papërfaqësuar nga ata që do të zgjedhë për parlamentin e ardhshëm. Kam besimin se Kryesia e Partisë Socialiste, Kryetari Edi Rama, nuk do të zhgënjejnë shkodranët me 11 kandidatët. Kushdo të jenë ata, do të mirëpriten dhe mbështeten pa asnjë mëdyshje nga socialistët e Shkodrës.
Në betejën e ardhshme elektorale, PS do të ketë kundër deputeten, Mimoza Hafizi. Është kjo një humbje për strukturën tuaj në Veri?
Shikoni, ju prisni që unë të sulmoj një zonjë të nderuar të Shkodrës dhe të shkencës, vetëm sepse ajo u shkëput nga formacioni ynë politik? Më vjen keq që do t’ju zhgënjej, pasi nuk mund të flas keq për një profesoreshë që vite të tëra ja ka kushtuar PS-së. Megjithëkëtë, marrëdhënia me partinë është një kontratë individuale, të cilën zonja Hafizi zgjodhi ta ndërpresë, dhe unë e respektoj. Ajo që unë do të uroja, është që kjo zonjë të rrijë në lartësinë e saj, dhe për arsye jashtë saj apo përreth saj, të mos hedhë baltë mbi shtëpinë ku, deri pak më parë, jetonte. Sa i takon dëmit në strukturën socialiste, askush nuk është i pazëvendësueshëm, në asnjë parti apo organizatë. Këtë duhet ta ketë të qartë kushdo, si një sistem alarmi në qeverisje dhe politikbërje, për të ruajtur modestinë. Qytetaria shkodrane, socialistët shkodranë kanë burime të pashtershme intelektualësh dhe profesionistësh, shumë edhe të angazhuar në PS, që do të mund ta bënin listën tonë denjësisht përfaqësuese.
Ju, si kryetar i PS-së në Shkodër jeni në dijeni të debatit mes kryeministrit dhe kryetares së Bashkisë, Voltana Ademi për mungesën e financimeve në këtë njësi vendore. Jeni i kënaqur me investimet qeveritare në Shkodër?
Bashkia Shkodër dhe Voltana Ademi po bëhen “kurban” nga kryetari i opozitës, Lulzim Basha. Ai po e përdor Ademin për të bërë opozitë në kurriz të qytetarëve tanë, në mungesë totale të ideve dhe kauzave të Partisë Demokratike. Shkodranët patën si alternativë zgjedhëse në vitin 2015 dy zonja, mes të cilave mandatuan Voltana Ademin. Ata i besuan një zonje me bindjen e thellë se do të sillej si e tillë, por kurrsesi nuk kanë pritur se do të sillej më keq se një burrë llafazan e inatçor. Ajo përfaqëson në mënyrë ekselente mentalitetin e mykur të partisë së saj, që vetëm për shkak të ngjyrës së selisë së drejtuesit të institucionit (kryeministrit), është gati të sabotojë gjithçka, pavarësisht se mund të jetë në dëm të zgjedhësve të saj. Voltana Ademi po kujdeset të krijojë në Shkodër kredibilitet për PD-së, duke frymëzuar urrejtje ndaj qeverisë. Ajo po krijon një konflikt artificial duke dëmtuar interesit e qytetarëve shkodranë, e duke shpresuar që në këtë mënyrë të mbulojë paaftësinë e saj për të kryer qoftë edhe një shërbim apo investim publik sikundërse duhet. Por unë jam i bindur se shkodranët e mençur do të dinë të dallojnë paaftësinë e kryebashkiakes për të bashkëpunuar me qeverinë, e për të shkruar qoftë edhe një projekt investimi, nga falsiteti i konfliktit.
Nuk qëndron asnjë pretendim i kryebashkiakes sipas jush?
Asnjëherë nuk është mjaft, por një gjë është e sigurt: asnjë qeveri nuk ka qenë më afër me nevojat e qytetarëve shkodranë (sikundërse në të gjithë Shqipërinë) me paketat e solidaritetit, subvencionet në bujqësi, legalizimet, arsimimin cilësor, taksimit të ndershëm, e mbi të gjitha me investime, sikundërse qeveria “Rama”. Investimet në Shkodër kapin shifra thuajse të pakrahasueshme me bashkitë e tjera. Ndërtimi i stadiumit u konsiderua nga kryebashkiakja investim luksi, por që prej ndeshjes së parë dhe sa herë ka përballje sportive, hotelet e Shkodrës po përjetojnë ditët më të mira e më fitimprurëse. Të gjitha bizneset e zonës po ashtu janë ndeshur me një fluks të lartë konsumator, për të cilin ndokund edhe nuk ishin përgatitur. Investime të tilla janë strategjike dhe afatgjata, e duhen vlerësuar si të tilla. Unë nuk besoj se do të kemi ndonjëherë një qeveri të pa kritikueshëm. Njeriu është i karakterizuar nga pamjaftueshmëria, ndaj ekonomia botërore ecën përpara. Në këtë aspekt, asnjëherë ne s’do të ndihemi mjaftueshëm me atë që qeveria bën për qytetarin, por ama unë dhe çdo socialist ndjehet krenar për optikën e mirëqeverisjes dhe konceptit të qeverisë “Rama” për të pasur në fokus qytetarin. Kjo qeveri është e para që krahas politikës reformatore, po kujdeset edhe për paketën e solidaritetit. Ky gërshetim do të jetë çelësi i suksesit në 18 qershor 2017, për t’i dhënë të majtës një mundësi të dytë për të përmbyllur reformat e saj. Kjo qeveri po bën përpjekje titanike për tu dhënë shqiptarëve, bashkë me aleatët ndërkombëtarë, asetin më të çmuar: Drejtësinë. Drejtësi do të ketë dhe për kryebashkiaken e Shkodrës!
shqiptarja.com/d.i.