Pjesë e dëgjesës dhe konsultimit të Planit të Përgjithshëm Vendor është bërë edhe shoqëria civile. Pas seancës së parë të dëgjesës të zhvilluar me anëtarët e Këshillit Bashkiak, Bashkia e Tiranës ka organizuar sot pasdite edhe një seancë të dytë dëgjese me përfaqësues të shoqërisë civile të angazhuar të angazhuar jo pak herë në disa nga lëvizjet kundër Bashkisë së Tiranës. Fillimisht ka qënë arkitekti Italian, Stefano Boeri ai që ka bërë një prezantim të detajuar të këtij Plani, ndërsa më pas Drejtori i Përgjithshëm i Urbanistikës, në Bashkinë e Tiranës, Ditjon Baboçi dhe ekipi i tij i janë përgjigjur pyetjeve dhe interesit të shprehur nga të pranishmit në këtë dëgjesë.
“Për sa i përket procesit ligjor janë bërë 3 dëgjesa formale, janë shpallur 45 ditë përpara në regjistrin e integruar të territorit, janë bërë 24 dëgjesa joformale në njësitë administrative ku janë takuar banorët dhe administratorët dhe gjithashtu janë bërë dhe 98 apo 99 takime me arkitekt, me shoqatën e arkitektëve, atë të ndërtuesve, është bërë dëgjesa publike sa i përket aspektit mjedisor, me grupet e ndryshme interesi”, tha Baboçi duke bërë një përmbledhje të të gjithë punës kolosale që është bërë për hartimin e këtij Plani. Baboçi bëri të ditur se plani parashikon një Tiranë shumë herë më të gjelbër dhe më të pastër dhe kjo falë edhe idesë për krijimin e pyllit orbital, ku janë parashikuar që në 15 vitet e ardhshme të mbillen afro 2 milionë pemë.
Ai gjithashtu theksoi se edhe në Planin e ri të Përgjithshëm Vendor parashikohet që të ndërtohet infrastruktura e duhur arsimore dhe sociale e cila do t’i përgjigjet zhvillimit që merr qyteti në vazhdimësi. Për këtë janë parashikuar që të ndërtohen minimum 20 shkolla të reja që do të zgjidhin dhe çështjen e mësimit me dy turne. Një aspekt tjetër i rëndësishëm i këtij dokumenti është edhe krijimi një Tirane policentrike me 5 qendra. Rëndësi i jep Plani edhe ndërtimit të unazave të reja të qytetit, dy prej të cilave do të jenë të dedikuara për këmbësorët dhe biçikletat./a.m.