Zoti Spaho, ky vit që është në prag të mbylljes së tij, shënoi disa ngjarje të rëndësishme politike, si reforma në drejtësi, ku pamë dy anë të këtij procesi: konsensusin për ndryshimet në Kushtetutë, dhe prishjen e tij sa i përket paketës së 7 ligjeve që shoqëronin ndryshimet kushtetuese; prokuroria sapo ka nisur zbatimin e dekriminalizimit; reforma në arsim; situata ekonomike, apo edhe ajo e narko-trafikut. Në fakt cili është vlerësimi juaj për 2016-ën?
Do dëshiroja të veçoja reformën në drejtësi, dekriminalizimin dhe situatën e narko-trafikut. PD që prej një viti e gjysmë i dha mbështetje të plotë reformës në drejtësi, duke kërkuar që ajo të ishte tërësore, gjithëpërfshirëse dhe të merrte miratimin e Komisionit të Venecias. Ishte vullneti i PD-së për të realizuar reformën në Drejtësi që bëri të mundur miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Së bashku me të duhej të miratoheshin edhe 7 ligjet. Rrethanat erdhën të tilla që nuk mund të miratoheshin si një pakete e vetme dhe palët me miratimin e faktorit ndërkombëtar ranë dakord që shtatë ligjet të hartoheshin dhe miratoheshin me konsensus. Për fat të keq maxhoranca e theu këtë marrëveshje dhe ligjet u miratuan pa konsensus dhe pa marrë parasysh propozimet e opozitës.
Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit është sabotuar në mënyrë sistematike nga maxhoranca. Ajo nuk është e interesuar që ky ligj të zbatohet dhe politika të pastrohet, sepse është autorja e kësaj situate kaq të rëndë në Parlament, pushtetin ekzekutiv dhe atë lokal. Druaj se edhe disa masa të marra ditët e fundit nuk janë të mjaftueshme. Ka një tendencë për të qenë politikisht “korrekt” dhe të balancuar. Nga politika duhet të largohen me patjetër të gjithë të inkriminuarit dhe ata janë pothuaj tërësisht në radhët e maxhorancës. Sa më parë të kryhet ky proces aq më mirë është për vendin dhe veçanërisht procesin e ardhshëm zgjedhor. Gjatë vitit që sapo mbyllim vendi u kthye në prodhuesin më të madh dhe furnizuesin e Evropës me kanabis. Nuk ka ditë që në Shqipëri dhe vendet europiane të mos konfiskohet drogë në sasi të mëdha. Opozita e ka trajtuar gjerë e gjatë këtë çështje, duke theksuar rreziqet e mëdha që na kanosen si shoqëri, duke rrezikuar që të kthehemi në Kolumbinë e Europës.
Qeveria jo vetëm ka bërë sehir ndaj këtij fenomeni, por ka qenë promotore dhe bashkëpunëtore e trafikantëve. Qëllimi është që nëpërmjet saj të sigurohen fonde për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, si dhe të përdorë kontingjentet e kultivuesve të drogës si struktura që do e ndihmojnë të “fitojë” zgjedhjet. Eksperimentet i bënë në Dibër dhe Ersekë, me synim kolaudimin dhe perfeksionimin e skemës.
Po ashtu, kemi një ngecje të Shqipërisë në procesin e integrimit, ku maxhoranca fajëson opozitën për qëndrimin e mbajtur për Vetingun. Sa i vërtetë është ky pretendim i maxhorancës? Dhe cili do të jetë kontributi i opozitës dhe i PD-së në veçanti, që ky proces të zhbllokohet vitin e ardhshëm?
Duhet të jesh shumë naiv që të besosh deklaratat e Ramës që procesi i integrimit është bllokuar vetëm për ligjin e vetingut. Nëse është kështu, përse grupi parlamentar i CDU-CSU të Gjermanisë doli me deklaratë publike që Shqipëria nuk do të hapë negociatat pa bërë progres real në 5 prioritet dhe procesin e dekriminalizimit e zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Të njëjtën gjë theksuan edhe vende të tjera dhe Komisioni Europian, i cili evidentoi nevojën e avancimit në të pesë prioritetet. Bashkësia ndërkombëtare është e qartë për gjendjen në Shqipëri pavarësisht çfarë thotë Rama dhe prandaj raportin e radhës të progresit e ka lënë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2018. Ata dëshirojnë të shohin procesin e ardhshëm zgjedhor, i cili duhet të kryhet sipas të gjithë standardeve europiane. Nëse do të ndodhë kështu, opozita do rikthehet në pushtet dhe do mundë të hapë negociatat me Bashkimin Europian për anëtarësimin e vendit.
Në raportin e tij, Komisioni Europian përmend edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare si një kriter për çeljen e negociatave. Ndërkohë që puna për realizimin në kohë të reformës zgjedhore ka ngecur, gjë që e detyroi Kuvendin të shtyjë afatin e veprimtarisë së komisionit të posaçëm parlamentar. A ka kohë për ndryshime thelbësore në Kodin elektoral, dhe sa të realizueshme do jenë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, në mënyrë që të shmanget edhe alibia për zgjedhje të parregullta në 18 qershor?
Sikurse ju me të drejtë konstatoni, BE-ja i ka kusht zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Vetëm Rama bën sikur nuk kupton dhe i ka ngelur “boria tek vetingu”. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë jetike për vendin dhe të ardhmen e demokracisë. Për fat të keq reforma zgjedhore sot mund të quhet e dështuar për shkak të zvarritjeve të qëllimshme nga mazhoranca dhe gjasat që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme, me Ramën në krye, janë iluzive. Partia Demokratike po bën të gjitha përpjekjet të ndërgjegjësojë opinionin brenda dhe jashtë vendit. Nëse zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë të lira dhe të ndershme, por do të blihen sikurse u veprua në Korçë, zgjedhjet vendore të vitit 2015-të, zgjedhjet në Dibër dhe Ersekë, vendi do të futet në rrugën e destabilitetit politik dhe të përplasjes në sheshe dhe rrugë. Kambanat bien për ata që kanë veshë për të dëgjuar.
PD-ja duket se është tërhequr nga protestat në shesh, dhe është përqendruar në takime të mbyllura dhe të veçuara gjatë këtij viti. Dhe po ashtu duket se nisma e saj për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme dështoi. Po ti shtojmë dhe rezultatet e dy zgjedhjeve të pjesshme në Dibër dhe Kolonjë, ku koalicioni i djathtë shënoi tkurrje të votave në krahasim me zgjedhjet e 2015-ës, atëherë si mendon PD-ja të fitojë garën e ardhshme parlamentare?Çfarë strategjie do të ndjekë për t’u rikthyer në pushtet?
E shpjegova më sipër se si janë zhvilluar zgjedhjet gjatë qeverisjes së Ramës dhe koalicionit të tij. Ne po punojmë dhe kemi propozuar një platformë, e cila të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme në vitin 2017-të. Ajo përfshin votimin dhe numërimin elektronik, kontrollin e financimit të partive, shpalljen vepër të rëndë penale shitblerjen e votës dhe ndryshimin, e të tjera. Mazhoranca me fuqinë e numrave i ka hedhur në kosh këto propozime. Përgjegjësia për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është në radhë të parë e qeverisë. Ajo do të mbajë pasojat, të cilat do të jenë të rënda për të dhe vendin, nëse në Qershor nuk do të zhvillohen zgjedhje sipas standarteve të vendeve të BE-së, por do blihen dhe vidhen sipas standardit të Ramës, duke përdorur kontigjentet e krimit.
Kreu i PD-së, zoti Basha ka lajmëruar një aleancë të gjerë kundër qeverisë. Kë përfshin kjo aleancë dhe a priten prurje të reja në kampin opozitar?
Në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe garantimit të standardeve të tyre, ne i kemi bërë thirrje të gjithë shoqërisë shqiptare, pavarësisht bindjeve politike, që të bashkohemi në një aleancë, e cila do të garantojë që vendi t’i realizojë ato sipas parametrave që i takojnë një vendi që pret të hapë negociatat me Bashkimin Europian. Ne jemi të bindur që ky është interesi i shumicës absolute të qytetarëve shqiptarë, dhe nëse Rama do ngrihet kundër këtij vullneti ai do përballet me pasojat, të cilat do të jenë të rënda