Burime diplomatike i thanë tesheshi.com se ka një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Bashkimit Europian dhe autoriteteve shqiptare mbi nisjen e procesit të zbatimit të reformës në drejtësi.
Por siç mësohet, këto shkresa kanë detaje të rëndësishme që kanë të bëjnë me një verifikim pasurie të disa nga gjyqtarët e prokurorët më të përfolur të vendit dhe me një grup politikanësh.
Këto të dhëna kanë një vit që vijnë rregullisht në Tiranë, por vetëm ditët e fundit kanë ardhur disa materiale që konsiderohen si “xhevahire”, pasi pasi kanë të dhëna mbi krerët e gjyqësorit në vend.
Sipas rendit që do të nisë me zbatimin e ligjit të vettingut, Adriatik Llalla, Bashkim Dedja dhe Xhezair Zaganjori do të jenë tre zyrtarët e parë që do të kalojnë të parët në sitën e ndërkombëtarëve dhe të komisionit të posaçëm që do ta zgjedhë parlamenti shqiptar.
Por materialin shpjegues kryesisht për pasurinë e ka përgatitur ILDKP në bashkëpunim me strukturat speciale të BE-së dhe Departamenti i Informacionit Klasifikuar në Kryeministri.
Siç mësohet pothuajse ka mbërritur verifikimi i pasurisë së krerëve të gjyqësorit shqiptar dhe në veçanti më problematikë ka dalë Gjykata e Apelit e Tiranës dhe Prokuroria.
Siç mësohet kanë mbërritur pasuritë e tre kryeprokurorëve të fundit të vendit: Adriatik Lllallës, Ina Ramës dhe Theodhori Sollaku. Ky i fundit, aktualisht avokat ka edhe gruan gjyqtare apeli në Tiranë, pra subject i vettingut.
Sipas të dhënave më mirë në këtë verifikim ka dalë Ina Rama, por edhe kjo e fundit gjithsesi ka rezultuar se ka pasuri dhe prona që i janë gjetur jashtë deklarimit. Dhe pikërisht për këtë ajo është penalizuar dhe nuk ka mundur të zgjidhet dot si Gjyqtare e Strazburgut, propozim që u bë zyrtarisht nga qeveria e Edi Ramës.
Ndërkaq, për Llallën dhe Sollakun mësohet se ka një mospërputhje jo të vogël të pasurisë së ngritur, ku një pjesë e saj nuk është deklaruar zyrtarisht.
Ndërsa Sollaku e ka të justifikuar si avokat, sërish agjencitë e specializuara kanë gjetur mospërputhje serioze.
Pak kohë më parë disa media akuzuan Kryeprourorin aktual Adriatik Lalla se zotëron pasuri të mëdha dhe një pjesë të saj e ka transferuar në Gjermani ku ka dërguar edhe familjen e tij./a.k