Në politikë, ashtu si në ekonomi, Gjermania ka prirje të mos habisë. Është modeli i stabilitetit. Teoria dominuese në këtë fundvit është se në zgjedhjet federale të vjeshtës së vitit të ardhshëm Angela Merkel do të fitojë e më pas formojë qeverinë e saj të katërt, për të shkuar drejt 16 viteve si kancelare, deri në vitin 2021.
A do të ndodhë kështu? Ndoshta po, por asgjë nuk mund të merret e mirëqenë në politikën e Perëndimit të këtyre kohëve të fundit. Arsye për t’u shqetësuar Frau Merkel ka dhe nuk i fsheh ato. Së pari, ajo e di se 16 vjet si kryetare e qeverisë janë shumë. Helmut Kol, që qëndroi pikërisht 16 vjet, përfundoi i zhytur në një skandal. E njëjta gjë ndodhi edhe me babain e Gjermanisë së pas-luftës, Konrad Adenauerin, ai qeverisi për 14 vjet më rradhë, por në periudhën e fundit qe i dobët dhe i pasigurtë.
Prandaj, kancelarja reflektoi gjatë para se të ripropozohet edhe për një mandat tjetër:megjithatë e dinte se nëse do të duhej të tërhiqej në këtë periudhë të krizës së madhe në Evropë, do përballej me kritika të forta në arenën ndërkombëtare. Kësisoj, gjatë fushatës zgjedhore, qëndrimi i saj i gjatë në krye të politikës gjermane, do të prezantohet nga koalicioni i saj Kristian-demokrat, si një vendim i përgjegjëshëm i një udhëheqëse të domosdoshme.
Por Merkel do të jetë gjithashti subjekt i dyshimeve të forta, lidhur me efektivitetin e veprimit të saj në një mandat të katërt. Përveç zhvillimeve të paparashikueshme dhe destabilizuese – natyrisht të mundshme – nga tani deri në vjeshtën e vitit të ardhshëm, kancelarja do të duhet të menaxhojë atë që mbetet elementi i tensionit më të fortë në Gjermani, kriza e refugjatëve dhe integrimi i tyre.
Rastet e dhunës nga ana e refugjatëve nuk janë të shumta: proporcionalisht më pak se sa ato të kryera nga pjesa tjetër e popullsisë. Megjithatë, sa herë që ndodhin, jehona e mediave është e fortë:kujtimi i ngjarjeve të Këlnit natën e ndërrimit të viteve një vitë më parë kundër grave, rrikthehet vazhdimisht.
Një tjetër gur prove, mbi të cilin do të matet kancelarja, është marrëdhënia me Rusinë:deri tani ka arritur të mbajë të bashkuar Bashkimin Evropian mbi sanksionet kundër Moskës, për shkak të aneksimit të Krimesë dhe ndërhyrjes në Ukrainën Lindore. Megjithatë, një marrëveshje “për ndarjen” gjeopolitike në Evropë, ndërmjet Donald Tramp dhe Vladimir Putinit, do të zhyste në një krizë serioze strategjinë e kancelares.
Për më tepër, shërbimet gjermane të sigurisë, lëshojnë alarme të vazhdueshme mbi manipulimin e mundshëm rus të fushatës zgjedhore gjermane, me qëllim dëmtimin e Merkelit. Pavarësisht nga këto, në gjendjen aktuale të fakteve, shanset që CDU-CSU e saj të fitojë, janë të larta. Sondazhet i japin rreth 35 përqind të mbështetjes, ndërsa socialdemokratëve 22 përqind. Faktor i panjohur mund të jenë partia kundër emigrantëve, Alternativa për Gjermaninë, që aktualisht gëzon 12-13 përqind të mbështetjes së qytetarëve, por me këtë forcë politike askush nuk dëshiron të hyjë në një koalicion për të formuar qeverinë e re.
bota.al/d.i.