Ndërsa Viti i Ri po troket, shumë shqiptarë kanë zgjedhur ta festojnë jashtë vendit natën e ndërrimit të viteve. Operatorët turistikë në vend thonë se këtë vit ka patur një rritje të numrit të shqiptarëve që kanë zgjedhur vende të ndryshme për të kaluar Vitin e Ri. Paketat që janë zgjedhur më shumë janë ato në vendet e rajonit, pasi edhe çmimet janë më të lira, ndërkohë shifrat më të larta, rreth 30% më shumë se një vit më parë, janë drejt vendeve si Dubai apo Maldive.
“Këtë vit ka pasur më shumë kërkesa se sa viti i kaluar. Kryesisht tendencat kanë qenë drejt Mavrovës, në Maqedoni dhe Kolashinës në Mal të Zi. Duke qenë se janë vende me borë ka pasur një tendencë dhe një fluks më të madh nga disa operatorë turistikë. Disa destinacione sivjet janë ofruar dhe ka pasur edhe klientelë më tepër, në mënyrë të veçantë për vendet që ofrojnë ditë me shumë diell, të tilla si Dubai apo Maldive”, thotë një ndër ekspertët e agjencive turistike në vend. Operatorët turistikë thonë se ka dhe nga ata shqiptarë që kanë guxuar, për të shijuar natën e ndërrimit të viteve, në vende si Brazili, Karaibet apo Tajlanda.
Të shumtë janë edhe ata që kanë zgjedhur që natën e ndërrimit të viteve ta kalojnë në restorantet e Tiranës. “Tirana këtë vit është shumë e preferuar për të kaluar natën e Vitit të Ri nga familjet e kryeqytetit në lokale”, thonë ekspertët. Sipas statistikave, rezulton se restorantet më të kërkuara janë ato që ofrojnë dhe muzikën e artistëve shqiptarë