Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse të Shqipërisë Anastas Janullatos shpërndau një mesazh urimi për festën e Krishtlindjes.
Në mesazhin e tij për besimtarët, Janullatos thekson se Krishtlindja është atmosferë dashurie, shprese dhe mundësie për të mposhtur arrogancën ndërsa uron të gjithë besimtarët për Krishtlindje të mbara.
“Në festën e madhe të Krishtlindjes zakonisht të tërheq vëmendjen paqja, dashuria dhe shpresa, por ka edhe diçka tjetër që nuk vihet re, mposhtja e arrogancës. Arroganca është një prirje që e çon qenien njerëzore në konflikte të frikshme, tragjedi dhe katastrofa antidoti shpëtimtar ndaj sëmundjes së arrogancës na e ofron Jezus Krishti me mënyrën se si lindi me jetën, me praninë tij. Lindi në mënyrë të përulur dhe e kreu misionin e tij me përulësi të tejskajshme që e shoqëronte gjithnjë dashurinë e tij. Krishti shpëtimtari që lindi për ne le të na çlirojë nga çdo formë e dukshme apo e padukshme e arrogancës dhe le të na bëjë të denjë të jetojmë me përulësi. Krishtlindje të gëzuara ,Viti i Ri qoftë i bekuar vëllezër dhe motra”, u shpreh Kryepeshkopi. /a.m.