Ish-gardisti Luan Prenga në dëshminë e dhënë në qershor të 2010, para Gjykatës së Krimeve të Rënda me detaje rrëqethëse masakrën e Cërrikut 1997 ka fundosur Met Bozin, personin e arrestuar sot nga policia e Elbasanit, si një nga organizatorët e Masakrës.
“Unë nuk do ta harroj kurrë dhe s’do t’ua fal kurrë torturat çnjerëzore që na u bënë atë ditë mua dhe kolegëve të mi të vrarë”, – dëshmoi ish-efektivi i Gardës.
“Ky këtu, – tha dëshmitari, duke treguar me gisht nga Met Bozi, – dha urdhër që kufomat të digjeshin, por banorët bërtitnin që mos ta bënin këtë veprim”. Dëshmitari kujtoi se fillimisht ai ishte nisur bashkë me shokët e tij me mision për në Elbasan, por më pas, një urdhër i dytë ua kishte ndryshuar destinacionin për në Cërrik, ku ndodhi dhe vrasja e gjashtë gardistëve dhe plagosja e 16 të tjerëve.
Dëshmia e plote atë kohë u botua në gazeten “Albania”.
Dëshmia e plotë e Luan Prengës
“Aktualisht jam me detyrë inspektor pyjesh. Në fund të 1996-s kam shërbyer në Gardën e Republikës, deri në fund të vitit 1997, ku vendosa që të largohesha me anë të një kërkese që bëra vetë. Për ngjarjet e vitit 1997 ne ishim në dispozicion të Gardës dhe të Ministrisë së Brendshme. Kam qenë komandant i grupit tim që merreshim me operacione nëpër ngjarje. Më shumë kemi kryer operacione në Tiranë sesa jashtë saj.
Kam qenë në Elbasan për një mision, pasi kishte ngjarje të pazakonta, ishte problemi i komisariatit që ishte sulmuar. Komandanti Arjan Cenga na dha urdhrin për t’u nisur në Elbasan. Ai na shpjegoi se do të shkonim atje për të ndihmuar dhe për t’u dalë në mbështetje strukturave shtetërore pasi kishte probleme. Komandant Cenga na mblodhi në darkë dhe u nisëm pak pas mesnate për arsye sigurie. Kur arritëm në Elbasan kemi fjetur në hotel atë natë dhe të nesërmen në mëngjes na mblodhën dhe na përcaktuan detyrat dhe vendet ku do të vendoseshim për të kryer shërbimin.
Unë me grupin tim kisha për detyrë që të ruanim spitalin, në mënyrë që mjekët të mos ishin nën presionin e grupeve kriminale dhe të bënin të qetë punën e tyre. Ndërkohë që kolegët e mi ishin vendosur për të ruajtur te gjykata, prokuroria e kështu me radhë. Këtë punë e kemi bërë për nja 3-4 ditë. Për arsye sigurie kemi kërkuar me këmbëngulje që të pajiseshim me armatime të fuqishme, pasi ishte kohë trazirash.
Por armët që na u dhanë ishin thjesht figurative dhe nuk u pajisëm me armatime të forta. Kjo për të ruajtur edhe banorët. Na dhanë vetëm një pistoletë me nga një karikator. Veshjet tona ishin me lara. Rrugën në drejtim të Elbasanit e kemi bërë me makinat IFA, por ka pasur edhe mjete të blinduara.
Kur arritëm në Elbasan mbërritën edhe forca të tjera. Ndërkohë që nga reparti ynë ishim rreth 22 veta të ndarë nëpër grupe të vogla. Gjatë qëndrimit në Elbasan morëm vesh se në Cërrik po ndodhnin ngjarje të pazakonta dhe ishin ngritur postblloqe nga banda kriminale gjatë rrugës. Komandanti Arjan Cenga na kërkoi që të merrnim në mbrojtje Cërrikun, pasi na tha që banda kriminale kanë ngritur postblloqe gjatë rrugës, madje edhe një grua shtatzënë ka lindur në postbllok.
Në Elbasan erdhën mjete të blinduara dhe unë hipa në njërin prej tyre bashkë me grupin tim. Arjan Cenga na komunikoi për situatën dhe na tha se do të pritnim një urdhër për t’u nisur për në Cërrik nëse do të ishte e nevojshme. Këtë lajm ai na e tha në mëngjes, ndërsa që ne jemi nisur nga darka”.
Nisja drejt Cërrikut
“Kur u nisëm për në Cërrik pamë që gjatë rrugës kishte edhe forca të tjera policore. Kemi hipur në këto blinda që erdhën në dalje të qytetit të Elbasanit për arsye sigurie dhe kemi kërkuar si grup armatime më të forta, meqë ishte situatë e rrezikshme, por nuk na dhanë. Madje pa urdhrin e komandantit nuk na lejohej që të qëllonim. Në grupin tim ishte Qemal Mehmeti, Vladimir Minova, Petrit Gjoka, por ka pasur edhe dy persona të tjerë që nuk po ua kujtoj dot emrin. Gjatë aksit rrugor për në Cërrik kemi kontrolluar për banda kriminale dhe për postblloqe.
Kishte njerëz të armatosur, të cilët kur afroheshim ne largoheshin. Kemi bërë kontrolle të momentin ndaj personave që na dukeshin të dyshuar, pro i kemi gjetur të pastër. Kemi kapur një person, i cili ishte i armatosur me një kallash. Kur hymë në qytetin e Cërrikut kishte edhe forca të tjera, që ishin të Policisë së Shtetit. Në ato momente unë zbrita nga autoblinda dhe pashë që një nga blindat tanë u qëlluan me granatë hedhëse. Para këtij momenti kemi pyetur nëpër pallate nëse kishin ndonjë shqetësim dhe banorët na thoshin që të bënim kujdes nga bandat.
Ne shkuam më pas te sheshi ku ishte kinemaja dhe u goditëm me granatë hedhëse. Në ato momente filloi goditja me armë nga tarracat e pallateve dhe nga brenda kinemasë. Aty pamë disa shokë tanët që po digjeshin. Mund të ketë pasur rreth 15 goditje të fuqishme, por fati i keq i yni qe që blinda mori flakë menjëherë dhe nga aty doli përjashta duke ulëritur Sali Martini. Ne e morëm në krahë dhe e vendosëm te rruga, ku ishte një dyqan. Dhe aty Sali Martini ka dhënë shpirt pasi kishte marrë plumba në gjoks dhe në fyt. Nuk kishim çfarë t’i bënim.
Pas kësaj lëvizëm për të parë për shokët e tjerë. Në mos gabofsha, ka dalë edhe një tjetër person nga tanku, por nuk mbaj mend se cili, pasi u bë shumë tym. E gjithë kjo zgjati rreth 45 minuta. Në këto momente unë pashë Petrit Gjokën që u plagos në këmbë dhe u nisa drejt tij për ta ndihmuar. Në këtë moment plagosem në këmbë dhe një cifël granate më futet në mes. Nuk arrita dot që ta ndihmoja Petrit Gjokën, pasi u plagosa, por i thashë që të shtrihej. Komandanti jepte urdhër që të largoheshim dhe secili kishte hallin e vet. Unë me Petritin lëvizëm për te lulishtja ku ishte një bar shumë i lartë dhe nuk i lejonte plumbat të të preknin.
Aty erdhi për të më ndihmuar Qemal Mehmeti, i cili donte të më merrte në krahë. Unë nuk e lashë dhe i thashë të largohej. Ai moment ishte shumë prekës. Kam marrë vesh që Qemal Mehmeti u vra. Ndërkohë që shtrirë në bar shqeva pantallonat e mia dhe nga pallati banorët më hodhën nj palë pantallona të tjera të zeza, pasi isha gjakosur. Shqeva edhe bluzën me të cilën i lidha plagën Petrit Gjokës. Në këto momente kam parë një grup njerëzish të armatosur që dolën nga kinemaja dhe lëviznin nëpër rrugë. Këta persona i kanë trajtuar në mënyrë çnjerëzore kufomat e kolegëve të mi.
Pashë këta persona që po qëllonin me armë dhe të tjerë rreth tyre buzëqeshnin. Përsa u përket kufomave, këta i zhvishnin, i qëllonin, u merrnin lekët. Ishte e tmerrshme dhe nuk kam për ta harruar kurrë. Erdhën një grup personash prej 16 vetash dhe më çuan mua bashkë me Petritin te shtëpia e Alfons Dahollit, që kishte qenë person i arrestuar prej nesh. Nuk do ta harroj kurrë atë ndihmë që na dhanë familjarët e tij dhe mbrojtjen e tyre. Na mbajtën peng te kjo shtëpi, na rrahën dhe na torturuan po jo ata të shtëpisë.
Meto Bozi ka ardhur me një kameraman të TV Kohës dhe na bëri shumë pyetje. ‘Kush jeni ju? A e dini që ju vrasim se ju jeni ushtarë të Veriut që mbroni Sali Berishën?’ I thashë se ne kemi ardhur për të mbrojtur popullin, dhe jo për të vrarë. Met Bozi na ka bërë presion psikologjik. Pasi iku ai, erdhi Roland Sota Xhepexhiu dhe më gjuajti me automatik në kokë, por ndërhyri familja dhe ai nuk më vrau.
Aty ishin të pranishëm me armë edhe Arjan Toska dhe Tomorr Buzani, por nuk ishin agresivë dhe nuk na prekën me dorë. Roland Xhepexhiu ndenji 5 minuta dhe pastaj thirri një person me emrin Turi dhe iku. Shtëpia ku ne rrinim ishte i rrethuar nga njerëz të armatosur. Roland Xhepexhiu goditi edhe Petrit Gjokën. Ndaj nesh është ushtruar dhunë psikologjike dhe jo fizike, pasi nuk i linin banorët e shtëpisë. Rolandi, Turi dhe Meti, bashkë me të tjerë, na bënin presion.
Met Bozi na është prezantuar si kryetar i PS-së dhe na ka thënë se ‘ne do të gëzojmë pushtetin’. Ishte një presion shumë i fortë psikologjik. Këta njerëz unë i kam parë edhe përjashta, atje te lulishtja ku isha me Petritin. Roland Xhepexhiu bënte organizimin e grupit të armatosur te lulishtja ditën e masakrës. Njëherë tjetër në shtëpi ka ardhur Met Bozi me një grua tropojane, e cila na dha një mbështetje të fortë morale duke na thënë se nuk do të na vrisnin.
Reagimi i Met Bozit ishte kërcënim dhe tha se ‘këtu vendosim ne’ dhe ajo gruaja u largua pasi e kërcënuan. Na ndihmoi familja Daholli për të bërë negocimet për lirimin tonë. Petrit Gjoka u lirua para meje. Dhunimin e kufomave e bënte Met Bozi. Nuk do ta harroj kurrë atë skenë. Ai urdhëroi që të digjeshin kufomat me benzinë dhe po të mos bërtitnin banorët, kjo gjë do të bëhej. Një ditë erdhi vetë Alfons Daholli dhe më mori në mënyrë të fshehtë nga këta persona që ruanin shtëpinë. Nuk do t’ia harroj atë që bëri për mua. Me dërgoi tek e motra, më dha për të ngrënë dhe për të veshur rroba. Më pas më nxori rrugës dhe më hipi në një fugon me të cilin shkova në Spitalin Ushtarak në Tiranë”.