Artisti i njohur shquhet jo thjesht për kontributin e tij në muzikë por edhe mendimet origjinale, që i rrjedhin nga vite kontributi në art, përsiatjesh dhe gjykimesh të lira të pakushtëzuara. Në këtë intervistë për “JAVA”, Deda flet hapur pë problemet e muzikës së lehtë dhe alternative shqiptare; masën e madhe të injorantëve kinse-këngëtarë; pse është dëmtuar muzika; por edhe prurjet e këqija sllave dhe turke në studiot shqiptare pas viteve ’00…
Intervistoi për revistën “Java” Ben Andoni
Elton Deda nuk druhet kurrë ta thotë mendimin e tij. I përket brezit të muzikantëve dhe këngëtarëve, që e filluan karrerën e tyre qysh në vitet e Socializmit. Në këtë intervistë për “JAVA” është shprehur hapur për arsyet e vuajtjes së muzikës shqiptare të lehtë dhe alternative, por edhe një sërë çështjesh që lidhen me ndikimin politik në çdo sferë (lexo dhe muzikë), rendjen e shumë këngëtarëve ndaj saj duke cënuar vlerat dhe mënyrën sesi ai vetë e identifikon veten. Ka trishtim sepse edhe duke e njohur shumë mirë situatën, ai dhe kolegë të tij, që kërkojnë vlerat e vërteta, nuk mund t’ia dalin…Shprehet për Eurovizionin, ndikimin kosovar, por sidomos ndikimet e këqija të muzikës ballkanike, që edhe në tallava e shikon se po avancon më mirë se muzika jonë…Ka shumë dhimbje, por vende-vende të duket se është edhe i tërhequr, përveçse kur të tregon se ai nuk heq dorë dhe po vazhdon disa projekte në kërkim të cilësisë së vërtetë…, por e keqja shpesh e mban pas. “Këtu ka aq shumë nevojë dhe plagë të hapura saqë edhe 5 Ministri Kulture bashkë nuk do mjaftonin. Këtu e kanë prishur hajdutet çdo gjë, si në politikë ashtu edhe në muzikë”, shprehet një moment. Dhe më pas shton: Dua të bëj një Rockstock Festival (edicioni 2); një Opera Rock; të ngre një shkollë për muzikën moderne; shumë projekte në Albautor për të Drejtat e Autorit; disa këngë dhe pse jo edhe ndonjë video. Dëshiroj shumë të bëj një emision në një radio prestigjioze dedikuar vlerave të mirëfillta muzikore…Shumë, por a do mundet vallë?!
Reflektimi juaj, nëse do më lejonit ta quaja kështu, pas Eurovizionit, ka treguar një perceptim të thellë për nevojën e ndryshimeve të mentaliteteve në muzikën e lehtë shqiptare, por në një farë mënyre edhe të artit shqiptar. Pa i përsëritur, a mund të na thoni përse vuan sot muzika shqiptare?
“Nuk ka sesi të mos vuajë, kur koncepti i të bërit muzikë sot, ndryshon kryekëput nga themeli i të bërit muzikë. Është një mishmash jo thjesht shijesh, por injorantësh që kërkojnë famë të shpejtë, pa patur as edukimin përkatës, as kulturën përkatëse dhe mbi të gjitha me një shije turbo-tallavaje ballkanase shumë të rëndë”.
A duket që është ende në kërkim të një identiteti muzika e lehtë, rock’u shqiptar etj…?
“Nuk bëhet më fjalë për identitet ose kërkim të tij. Muzika gjithmonë ka qenë e lirë për t’u shkruajtur dhe identitetin nuk e kërkojmë por e kemi të ndërtuar brenda nesh. Çdo qenie është unike në llojin e vet. Muzika shqiptare thjesht po vuan pasojat e shkatërrimit të Shqipërisë”.
Prej kohësh mungojnë aktivitetet prestigjioze që vërtetë të përmbledhin arritjet muzikore në vendin tonë në zhanre të ndryshme. Pra, festivale për zhanret, ku në fund vërtetë të respektohet fituesi. Akuza dhe kundërakuza vazhdojnë në çdo fund festivali…A mendoni se kompeticioni i drejtë mund të davariste pak këtë kakofoni zërash mëtimesh (pretendimesh)?
“Përderisa të ketë konkurrim, gjithmonë do ketë akuza dhe kundërakuza. Kjo është në natyrën e çështjes. Ka ardhur koha kur të bëhen festivale thjesht për këtë kënaqësi, për të promovuar artistët në treg, për të mirën e qyteteve ku zhvillohen, dhe sidomos për fansat që duan ti shohin live idhujt e tyre. Por ne jemi pak larg këtyre koncepteve pasi vdesim për çmime. Harrojmë që nuk e bën çmimi muzikantin”.
A mendoni se institucionet e kulturës shqiptare, duke filluar nga Ministria e Kulturës, nuk kanë një strategji të vërtetë për inkurajimin institucional të muzikës dhe artit?
“Këtu ka aq shumë nevojë dhe plagë të hapura saqë edhe 5 Ministri Kulture bashkë nuk do mjaftonin. Këtu e kanë prishur hajdutet çdo gjë, si në politikë ashtu edhe në muzikë. Nuk bëhet strategjia e artit gjithë ngërç e me 2 vjet. Kur njeriu ka probleme me ekzistencializmin bazik të tij, arti është i fundit që do shkojë në rregullim”.
A i ka bërë mirë muzikës shqiptare lidhja me Kosovën apo e ka dëmtuar në një farë mënyre?
“Kjo është pyetje, që do një analizë shumë të kujdesshme dhe objektive. Se i ka të dyja anët e medaljes. Unë mendoj që nga Kosova na kanë ardhur edhe shëmbuj vulgarë por edhe muzikë shumë e mirë. Personalisht mendoj që shijet e tyre janë më të mira se tonat. Përfytyro: çdo tip që bën hip-hop në Shqipëri duket sikur është nga Kosova”.
Jeni marrë me një aktivitet të njohur në vend sa i përket identifikimit të të rinjve të talentuar. Çfarë ka të përbashkët në përpjekjen për t’u identifikuar të të rinjve tanë?
“Duhet të kuptojmë që në atë moshë, janë të gjithë pak a shumë imitues të të tjerëve. Edhe unë kam imituar kur kam qenë sa ata. Le të mos i paragjykojmë dhe t’u japim mundësi që të japin më të mirën. Ideja është që, duhet të shohim pikëzat origjinale të tyre që më vonë do t’u japin fytyrën dhe identitetin muzikor”.
Si e shikoni përdorimin që i bën politika shumë artistëve të sotëm të zhanreve muzikore. A e ka dëmtuar disi komunitetin tuaj pjesëmarrja dhe angazhimet e tyre partiake?
“Ky është një fenomen që njihet në mbarë botën. Artistë të mëdhenj, mbështesin filozofitë e tyre politike dhe për mua deri këtu s’përbën asnjë problem. Problemi fillon kur “shiten” për poste politike. Këtu kemi të bëjmë me një shbërje të identitetit dhe moralit. Fundja, artisti i mirëfilltë duhet të jetë në Opozitë me gjithshka që ndodh në shoqëri. Sado perfekte të jetë ajo, ka gjithmonë vend për oponencë”.
Çfarë vlerësoi pozitive në artin shqiptar të zhanreve tuaja për periudhën para viteve ’90?
“E kam thënë disa herë, ajo periudhë ishte një shfryrje e madhe e të këqijave që na kishte mbledhur sistemi komunist i asaj kohe. Gjëja më e mirë ishte që shumica e muzikantëve të asaj periudhe ishin profesionistë dhe jo injorantë, që duan famën sot për sot. Pastaj, kishim frymëzim të madh pasi besonim vërtet që ja hodhëm varfërisë dhe do kishim një sistem vlerash, jo vetëm në art. Fatkeqësisht, rezultoi krejt e pavërtetë me pritshmëritë tona, u zhgënjyem totalisht dhe sot shikojmë që përpjekjet tona kanë shkuar pothuajse dëm. Nuk mund të bëjmë art vizionar me politikë të pafytyrësh dhe ekonomi primitive. Kjo që ndodh sot është rezultat i shkatërrimit sistematik të Shqipërisë nga të pangopurit lidera injorantë, që në emër të demokracisë shkelën mbi idealet tona. Duke grabitur Shqipërinë, ata vranë edhe shpresën e artit jo-komformist”.
A e shikoni Ju veten të angazhuar për të kontribuar në politikën shqiptare?
“Më pëlqen të merrem me muzikë dhe jo me politikë. Kam preferencat e mia, por ato nuk ndërhyjnë në atë çka bëj në profesion. Nuk më pëlqen ti lëpihem askujt dhe kam jetuar gjithë jetën si njeri i lirë”.
Pse tekstet e artistëve janë gjithnjë e më larg problemeve sociale dhe rrekin të flasin vetëm për narracione të brendshme dhe janë plot shfrime patriotike?
“Sepse kështu është ndërtuar shoqëria e zhgënjyer shqiptare. Mbasi u shbënë mirë e mirë nga komunizmi, i futën dhe një llustër demokratike duke shpresuar për më mirë dhe pastaj e panë veten përsëri në fund të botës. Kur e kuptuan se çfarë dëmi ishte bërë, se kush ngrefet nëpër qytete me makina luksi dhe nuk dinë se ku kanë paratë, kur e kuptuan që varfëria dhe degjenerimi i kishte mbuluar dhe s’dilnin dot më, ju nënshtruan realitetit të hidhur dhe të përbaltur. Dhe realiteti i hidhur është që, të kapim çfarë të kapim duke shitur imazh dhe jo muzikë. Atëherë për çfarë duhet teksti? Ça misioni paska një tekst i mirë kur mund ‘t’ja u thyejmë të gjithëve?’”
A shikoni ndonjë trend pozitiv në muzikën shqiptare? Çfarë jeni duke bërë personalisht në këto momente?
“Sigurisht që ka trende pozitive dhe nuk është gjithshka zi. Ka artistë të rinj të talentuar që akoma shkruajnë muzikë me shpirt të lirë. Por do duhet shumë kohë të ndryshojnë gjërat këtu. Do kemi një brez të humbur edhe për ca kohë. Personalisht po merrem me shumë aktivitete të miat personale, të cilat janë të mëdha. Më frenon pak kjo gjë për të shkruajtur muzikë, pasi nuk po kam më kohë në dispozicion. Gjithsesi, unë dua të kontribuoj sa më shumë për të realizuar projekte ambicioze dhe në shërbim të vlerave të vërteta muzikore. Nga këto projekte mund të përmend: Rockstock Festival (edicioni 2); një Opera Rock; ngritjen e një shkolle për muzikën moderne; shumë projekte në Albautor për të Drejtat e Autorit; disa këngë dhe pse jo edhe ndonjë video. Dëshiroj shumë të bëj një emision në një radio prestigjioze dedikuar vlerave të mirëfillta muzikore. Gjithashtu kam edhe një projekt për një reality-shoë i bazuar vetëm në muzikë”.
Pse duket sikur të gjithë qarqet muzikore në vend e kanë mendjen vetëm për përfaqësimin në Eurovizion? A tregon vërtetë vlerat e një vendi, arritja e një pozitiviteti aty?
“Duhet kuptuar që në këtë treg informal që kemi këtu, arritja pozitive në Eurovizion vetëm mirë i bën këngëtarit edhe vendit. Hë-për-hë, duke parë që muzikantët tanë janë të zhytur në kënetat me gropa thithëse të një vendi të vogël dhe të varfër si Shqipëria dhe nuk dalin dot as përtej Tiranës, Eurovizioni është një shans super i mirë për t’u shëerfaqur. Sigurisht një këngë nuk përfaqëson vlerat e një vendi. Por është një shans i mirë që duhet vlerësuar”.
Çfarë do të donit, që të ndryshonte në këtë kaos, ku gjendet muzika jonë dhe ku masivisht promovohen hiret femërorë dhe muskujt mashkullorë më shumë sesa parametrat teknikë?
“Të ndryshonte mentaliteti i atyre që përveç këtyre hireve s’kanë çfarë të ofrojnë më. Të kuptojnë që po e dëmtojnë realisht muzikën dhe tregun. Ti jepnin shansin vetes që të mos turpërohen më vonë kur brezat që do vijnë do t’u bëjnë gjyq. Të mendojnë për emrin që do lenë më vonë dhe mos të turpërojnë breza të pafajshëm. Dhe të mos vjedhin haptazi dhe pacipërisht llumin e Ballkanit, që edhe ai ka ecur shumë përpara. Ka dhe shumë t tjera, por le të mbeten më mirë breënda ndërgjegjes time”.
A keni një lloj zhgënjimi për të gjithë situatën e artit shqiptar që është ende shumë larg simotrave të veta ballkanike dhe më gjerë?
“As që bëhet fjalë për kualitet në këtë derexhe ku jemi katandisur. Nuk kam zhgënjim, pasi i kam studjuar me vëmendje shkaqet dhe pasojat e asaj që po jetoj. Tashmë më mbetet vetëm të punoj. Por e shoh që jam goxha vetëm në këtë lufte don-kishoteske. Përderisa të mbetemi arabë dhe turq nëpër RnB-të dhe Hip Hop-et tona, po kështu do mbesim. Ne nuk jemi as turq dhe as sllavë. Madje as që mund ti kapim ata, përderisa do mbajmë helmin e toksinave të tyre që ata i lanë në dyert e studiove dhe këngëtarëve shqiptarë të mbas viteve 2000’”.