Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste votoi sot me shumicë thuasje absolute votash shkarkimin e ish-deputetit Koço Kokëdhima nga detyra e Sekretarit për Reformën Strukturore dhe Emigracionin. Me 155 vota pro, dhe vetëm 3 kundër, Asambleja shkarkoi Kokëdhimën nga posti në parti.
Ky votim erdhi pas lëvizjes së Kokëdhimës në bazë, që sipas PS është aktivitet vetjak i shkëputur nga veprimtaria e partisë.
Vetë Kokëdhima deklaroi pas vendimit se ai do të mbetet pjesë e PS dhe do të vijojë lëvizjen e tij.
KËRKESA
Mbështetur në Statutin e Partisë, Neni 18 “Detyrat e asamblesë”, Neni 22 “Masat disiplinore”, Neni 71 “Votëbesimi” si dhe në Rregulloren e AK “Për votëbesimin në parti”:
Bazuar në faktet se Sekretari për Reformën Strukturore dhe Emigracionin Koço Kokëdhima, prej disa muajsh ka krijuar një shqetësim konstant në bazën e partisë me retorikën përçarëse dhe me aktivitetin vetjak të shkëputur nga kuadri i veprimtarisë së partisë, të përcaktuar nga Asambleja Kombëtare dhe Kryesia e Partisë Socialistë;
Bazuar në nenet 18, 22 dhe 71 të Statutit të PSH si dhe në nenet 1, 2, 3 dhe 4 të Rregullores për Votëbesimin në Parti”, kërkojmë:
Shkarkimin e Koço Kokëdhimës nga detyra e Sekretarit për Reformën Strukturore dhe Emigracionin të PSSH-së.
Anëtarët e Asamblesë Kombëtare
/a.m.