Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pezullon lejet shpërblyese dhe të veçanta për të gjithë të dënuarit, duke u hequr mundësinë një numri të konsiderueshëm personash të privuar nga liria, që të shijojnë festat e fundvitit në familjet e tyre.
Urdhri që mban firmën e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Miklovan Kopani është i datës 20 dhjetor dhe efektet e tij do të zgjasin për një periudhë të pacaktuar, deri në një urdhër të dytë.
Kreu i dikasterit të Burgjeve urdhëron Pezullimin e lejeve shpërblyese dhe të veçanta për personat me liri të kufizuar për periudhën 20 dhjetor 2016 deri në një urdhër të dytë. Nga ky urdhër bëjnë përjashtim vetëm lejet e veçanta për arsye vdekjeje në familje.
“Lejet e planifikuara për periudhën e fundvitit për të dënuarit, të planifikohen për vitin 2017. Lista e planifikimit me dokumentacionin përkatës për secilin të dënuar të përcillet në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Bordi i lejeve shpërblyese në të gjithë IEVP të informojë personat me liri të kufizuar të cilëve iu është miratuar leja mbi ndryshimin e periudhës së kësaj leje”, thuhet në urdhrin e Kopanit. Numri një i dikasterit qendror të Burgjeve, paralajmëron vartësit se nëse shkelin urdhrin do të mbajnë përgjegjësi administrative.
Pezullimi i lejeve sipas zyrtarëve të burgjeve është një masë e përkohshme, që merret për arsye sigurie si dhe për të shmangur ndonjë ngjarje të mundshme kriminale, pasi ka patur jo pak raste kur të dënuar të dalë nga burgu me leje, janë ekzekutuar nga kundërshtarët e tyre.
BW/d.i.