Katër ditë pas grabitjes së bankës te 21 Dhjetori në Tiranë, autorët ende nuk janë identifikuar nga policia. Prova më e fortë që kishte policia, arma që i ra njërit prej autorëve, nuk u ka dhënë ndonjë gjurmë hetuesve.
Nga kontrolli që i është bërë armës tip pistoletë, hetuesit nuk kanë gjetur asnjë gjurmë, kjo për shkak se ata mbanin dorashka në duar. Gjithashtu edhe i dyshuari si bashkëpuntor në vjedhjen e bankës E.Kodra ka mohur çdo lidhje me grabitjet. Ai është liruar nga policia për mungesë provash, por policia dyshon se ai ka patur djeni për ngjarjen. Kjo për arsyje se pak minuta para grabitjes, E.Kodra ka shkuar disa herë pranë bankomatit të bankës.
Në kontrollin që ka kryer në ambientet e brendshme të bankës por edhe nga kamerat e sigurisë, ende nuk është bërë i mundur arrestimi i autorëve. Ata kanë vendosur një shall në fytyrë, ndërkohë që në kokë mbanin kapele. Edhe kamerat e sigurisë nuk kanë arritur të japin imazhe për të identifikuar autorët.
Ata janë larguar me një motor dhe dyshohet se kanë braktisur atë dhe më pas kanë përdorur një mjet tjetër.
Në bankën që ndodhej pranë kryqëzimit të 21-dhjetorit, autorët dyshohet se kanë grabitur rreth 200 mijë lekë dhe fillimisht kanë goditur rojet e sigurisë, ndërsa më pas kanë kërcënuar punonjësit. Qëllimi i tyre ishte që të grabisnin kasafortën e bankës, por ajo nuk është hapur.
shqiptarja.com/d.i.