Familjet që janë prekur nga fatkeqësitë natyrore, përmbytje e tërmete, nga viti 2013 deri në vitin 2016, do të marrin dëmshpërblimin brenda datës 30 dhjetor të këtij viti. “Gazeta Shqiptare” ka siguruar listën e përfituesve në të gjithë vendin, në 18 bashki, ku përveç gjeneraliteteve është edhe shuma në para që do të marrë çdo familje. Fondi në total është 450 milionë lekë. Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi shpengon edhe mënyrën se si mund të tërhiqet dëmshpërblimi. “Tërheqja e ndihmës financiare do të bëhet pranë zyrave të Postës Shqiptare ose në numrat e llogarisë në bankat e nivelit të dytë të dhënë nga zyrat e Financave të bashkisë përkatëse”, – bën të ditur Shemsi Prençi. Fondi prej 450 milionë lekësh i miratuar nga qeveria për dëmshpërblimin e 2.498 familjeve, banesat e të cilave janë dëmtuar nga fatkeqësi të ndryshme në vite, u ka kaluar për shpërndarje njësive vendore. Paratë janë gati për dëmshpërblimin e plotë për 594 familje në Tiranë, 513 familje në Fier, 508 në Elbasan, 498 familje në Durrës, 92 familje në Berat, 120 familje në Lezhë, 175 familje në Vlorë dhe 7 familje në Korçë. Shuma në dispozicion sipas të gjitha akteve të regjistruara në Ministrinë e Brendshme, bazuar në dokumentacionin e përcjellë nga njësitë vendore, do të jetë nga 6.8 mln lekë të vjetra për familje, deri në 110 mijë lekë, sipas dëmeve të konstatuara.
BW/d.i.