“Unë Ricikloj” është një organizatë për një mjedis të pastër. Pikërisht kjo organizatë, si pjesë e ecovolis, ka bërë një thirrje publike për të gjitha partitë politike të japin për bamirësi banderolat e tyre që përdoren gjatë fushatës.
Kështu partitë i janë përgjigjur mesa duket, teksa shohim se në shkodër banërat e Keti Bazhdarit po përdoren tanimë për të pastrehët.
“Me qindra të pastrehë kudo nëpër qytete jetojnë nën qiell të hapur, ndërkohë që janë me qindra banerat elektoralë që shkaktojnë një ndotje të tmerrshme mjedisore qoftë nga kimikatet e bojërave, qoftë nga vetë plastika e përbërë. Le ti mbajmë këto materiale të dëmshme mjedisore larg landfilleve duke i ripërdorur për të mbuluar qindra familje të pastreha që jetojnë nëpër barraka të sajuara me mushama të grisura.
Janë me mijëra metra katror banera të printuar të cilët nëse përfundojnë ne landfille do të shkaktojnë një katastrofë mjedisore, jo vetëm nga mosperdorimi por edhe nga kimikatet e bojërave edhe më të dëmshme se vetë plastikat e banderolave. Dhuroji!
E pra këtë herë kemi mundësinë ti ripërdorim për një qëllim të mirë. Të nxisim riciklimin dhe të japim një mesazh të qartë se në këtë vend ekziston dëshira dhe vullneti për të mbrojtur mjedisin dhe për të bërë mirë.
Kjo është një thirrje për të gjitha forcat politike dhe kandidatët e tyre, të ndihmojnë mjedisin dhe komunitetet e pastreha duke i dhuruar banderolat e tyre elektorale, duke i mbajtur larg landfilleve.
Banderolat elektorale do i shkojnë komunitetit të pastrehë pranë Liqenit Artificial, në Kombinat dhe Ali Demi, “ shkruhet në njoftim.