Të hënën, trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese morën në dorë opinionin e Komisionit të Venecias të kërkuar nga gjykata për ligjin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Ashtu siç ishte lajmëruar më herët, Gjykata Kushtetuese u mblodh për të diskutuar dhe për të vendosur se cila do të jetë data në të cilën do të shpallet vendimi përfundimtar për ligjin e shumëdebatuar të Vettingut.
Në përfundim të mbledhjes, Gjykata Kushtetuese vendosi që shqyrtimi në themel i ligjit do të bëhet ditën e sotme ku tetë anëtarët do të diskutojnë mbi opinionin e Venecias lidhur me çështjen e respektimit të të drejtave të njeriut në draft, si dhe do të vendosin për kushtetutshmërinë e draftit të Vettingun. Pas marrjes së vendimit, i cili me shumë gfjasë nuk do të merret sot, për shkak të materialeve voluminoze që ndodhen në tryezën e 8 gjyqtarëve të Kushtetueses.
Skenaret e gjykimit
Ajo që vlen të theksohet është fakti se tashmë trupa e Gjykatës Kushtetutës përbëhet nga 8 anëtarë ku një votim 4 pro dhe 4 kundër, do të sillte një refuzim të ligjit, duke nënkuptuar rrëzimin e tij, ose më e pakta, shtyrjen e një vendimmarrjeje deri në plotësimin e vendit vakant të anëtarit të 9-të të kësaj gjykate.
Nga ana tjetër, duke iu referuar praktikave të mëparshme të vendimmarrjeve të kësaj gjykate në të kaluarën, kur janë shqyrtuar çështje delikate dhe me ndikim të fortë politik, Gjykata mund të veprojë përmes disa skenarëve.
Me vendimet e mundshme, fillimisht, varianti i parë është që Gjykata ta pranojë ligjin duke e vlerësuar atë si në zbatim me kushtetutën.
Në të kundërt, Gjykata mund ta rrëzojë ligjin si antikushtetues.
Së treti, Gjykata edhe mund ta refuzojë draftin dhe t’ia rikthejë Kuvendit për riformulim të tij.
Po ashtu një tjetër praktikë e ndjekur nga Gjykata është ajo e abstenimit të ligjit, një procedurë kjo e ndjekur në vitin 2009, kur ajo shqyrtoi ligjin e shumëdebatuar në atë kohë të Lustracionit, ç’ka solli dhe rrëzimin e tij.
Por përtej çdo skenari të mundshëm që tashmë ndodhet në tryezën e gjyqtarëve të Kushtetueses, duke iu referuar sërish praktikave të mëparshme, me shumë gjasë nuk do të ketë sot një vendim final të Gjykatës, por që gjithsesi ai do të jepet brenda 31 dhjetorit, për shkak edhe të diskutimeve që do të bëhen mes vetë anëtarëve të gjykatës, në mënyrë që vendimi të jetë sa më i qartë dhe i pranueshëm nga të gjitha palët e përfshira në këtë proces./Koha Jone/a.k