Skulptori Idriz Balani ka njoftuar se e ka përfunduar shtatoren e ish-Ambasadorit të OSBE-së në Kosovë, William Walker. “Para pak ditësh e përfundova shtatoren e Ambasador William Walker, e cila do të vendoset pranë varrezave të martirëve në masakrën e Reçakut, të cilën e denoncoi botërisht pikërisht ky personalitet botëror”, ka deklaruar Balani, shkruan lajmi.net
Ëalker konsiderohet si njëri nga kontribuuesit më të mëdhenj për lirinë e Kosovës, pasi denoncoi masakrat e forcave serbe në Kosovë.
Mesazhi i tij si shef i misionit vëzhgues të OSBE-së vuri në lëvizje gjithë diplomacinë botërore me të gjithë mekanizmat ndërkombëtar. Ai e pati cilësuar masakrën në Reçak si “krim kundër njerëzimit”.
Në Masakrën e Reçakut, më 15 janar të vitit 1999, forcat serbe vranë dhe masakruan mbi 45 civil shqiptarë. Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999, ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, militare dhe paramilitare serbe.
Masakra e Reçakut më pas do të njihet si një nga ngjarjet kryesore, që ka shënuar një kthesë të madhe qysh në atë kohë, në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë e asaj kohe dhe Kosovën, duke i paraprirë të gjitha atyre çfarë ndodhën – që çuan deri tek fushata e 78 ditore e bombardimeve ajrore të NATO-s, përgatiti Zëri. (b.an)