Balerini shqiptar ka folur mbi karrierën e tij artistike dhe ambiciet për të ardhmen, mes të cilave edhe shpresat që të prezantohet një ditë para artdashësve shqiptarë.
Më 9 janar në Neë York ndahen çmimet e përvitshme Clive Barnes, një nderim për artistë të rinj në artin skenik dhe në balet. Spartak Hoxha një 25-vjeçar nga Nju Jorku, i lindur në Shqipëri, është një ndër katër balerinët që konkurrojnë për këtë çmim.
Hoxha ka folur mbi karrierën e tij artistike dhe ambiciet për të ardhmen, mes të cilave edhe shpresat që të prezantohet një ditë para artdashësve shqiptarë. Në prag të ndërrimit të viteve, Trupa e Baletit të Neë York vë në skenë “Arrëthyesin”, baletin e shumëpritur të sezonit. Balerini Spartak Hoxha interpreton tre role në këtë balet.
Por, përveç emocioneve të interpretimit, ai mbart këto ditë edhe emocionet e konkurrimit për çmimin prestigjioz Clive Barnes:
“Kur dëgjova që isha emëruar për çmimin Clive Barnes u shokova, pasi nuk e mendoja se mund të arrija në këtë nivel. Është nder të emërohesh, s’ka rëndësi nëse fitoj apo jo, por thjesht që jam në këtë grup është fantastike: fakti që jam shqiptar, fakti që jam pjesë e një prej trupave të baletit ndër më të mirat në botë është gjë e madhe”, ka thënë Spartak Hoxha.
U desh shumë punë që Spartaku të ngjitej në skenën e trupës Balanchine, kompania më e suksesshme e baletit në Nju Jork dhe një ndër më prestigjiozet në botë.
“Është shumë e vështirë sepse ka shumë konkurrencë. Ka plot balerinë që vijnë nga e gjithë bota me shpresën për t’u futur në këtë kompani, sepse është një ndër më të mirat në botë. Baleti Balenchine zgjedh vetëm 4-5 profesionistë të rinj në vit. Fakti që jam pjesë e kësaj trupe më bën të ndjehem me shumë fat, të ndjehem i privilegjuar”, është shprehur tutje Hoxha.
Ky 25 vjeçar ka një karrierë profesionale shtatë vjeçare. Dhe, siç thotë një këngë e njohur amerikane, nëse ia del në Nju Jork, mund t’ia dalësh kudo tjetër, përgatiti Express. (b.an)