Në Shqipëri po qarkullon virusi i gripit “AH3N2” dhe në një javë preken rreth 14 mijë persona të grupmoshave të ndryshme.
Mjekët e qendrave shëndetësore u kërkojnë qytetarëve që të paraqiten për të marrë mjekim sapo kanë filluar simptomat e para, e jo siç ndodh rëndom vetëm pasi kanë nisur komplikacionet.
“Përveç virozave të zakonshme që kanë qenë të pranishme prej shtatorit e në vijim, javën e fundit kemi pasur edhe shenja klasike të gripit klasik. Temperaturë e lartë për 5 ditë mbi 40 gradë Celsius, dhimbje koke e mesi, dobësi të theksuar trupore dhe djersë”, thotë Dr. Bruna Shiroka, drejtoreshë e Poliklinikës Nr.3.
Mjekët u bëjnë thirrje qytetarëve të mos përdorin antibiotikë, pasi nuk japin efekte në rastin e viruseve.
“Nëse duhet apo jo të përdorin antibiotikë në gjendje virale, kjo që është e panevojshme dhe jo vetëm, por edhe e dëmshme. Përdorimi i tyre është i justifikuar vetëm kur e gjykon mjeku, e jo me marrje në farmaci sikurse ndodh rëndom”, tha më tej Bruna Shiroka.
Virusi i këtij viti “AH3N2” nuk është aq agresiv sa “H1N1” që qarkulloi një vit më parë, por ndërkohë mjekët rekomandojnë vaksinën antigrip për të manifestuar më lehtë simptomat e tij.
“Sivjet kemi forma të zakonshme të gripit, forma paksa të rënda, ndërsa vjet kemi pasur edhe vdekje nga gripi. Vaksinimi të mbron mjaft mirë edhe nëse kryhet tani gjatë sezonit të gripit. Vaksina të mbron nga format e rënda të gripit dhe nga vdekja prej gripit”, tha Silva Bino, shefe e Departamentit të Sëmundjeve Infektive, ISHP.
Specialistët shpjegojnë se vaksina antigrip nuk parandalon virozat, ndaj shpesh në popullatë thuhet se vaksina nuk u bën efekt. Edhe pse ka një numër në rritje të të prekurve nga gripi, ata thonë se nuk kemi të bëjmë me epidemi.
TCH/d.i.