Prokuroria e Durrësit ka nxjerrë urdhër arresti për drejtorin dhe juristin e burgut të Durrësit, konkretisht Astrit Kotaj dhe shtetasin T. L., të dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Fallsifikimit të dokumentave”, në vijim të hetimit të nisur kryesisht për lirimin me kusht të të dënuarit Lulëzim Berisha.
Nga ana e forcave të Policisë së Shtetit eshte ekzekutuar urdheri i prokurorise per arrestimin e drejtorit te burgut, Astrit Kotaj, pas caktimit të masës së sigurisë “arrest me burg”, vendosur nga ana e Gjykatës. Ndersa eshte shpallur ne kerkim juristi T. L. ‘BalkanWeb’ mëson se pas lëshimit të urdhër-arrestit ministri i Drejtësisë Ylli Manjani shkarkoi Astrit Koten. “Nxis prokurorinë për zbardhjen e të vërtetave”, pohoi Manjani. Ndërkohë arrestimi i Kotes është bërë në banesën e tij në zonën e plazhit.
HETIMI I PROKURORISE
Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Durrësit, rezulton se Drejtori i Institutit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (burgut) dhe juristi i këtij institucioni, kanë llogaritur në mënyrë të kundërligjshme kohën e qëndrimit të burgim të të dënuarit Lulëzim Berisha.
Në bazë të shqyrtimit të dosjeve përkatëse të burgut Durrës, Prokuroria ka arritur në konkluzionin se të dënuarit Lulëzim Berisha duhej të kryente edhe të paktën 2 vjet e 7 muaj burgim, para se të mund të përfitonte nga parashikimet ligjore për lirimin me kusht. Prokuroria e Durrësit ka krijuar dyshime të arsyeshme se zyrtarët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elementet e veprave penale te “Shpërdorimi i detyres” dhe “Falsifikimi i dokumentave” të parashikuara nga nenet 186/3 dhe 248 të K.Penal.
LIRIMI I LUL BERISHES
Ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha fitoi lirinë më 6 dhjetor, pas kërkesës së tij se vuante nga një sëmundje e rëndë. Ndërkohë, Prokuroria e Durrësit po vijon hetimin lidhur me të tjerë persona të përfshirë në këtë çështje.
Prej ditësh vendimi i Gjykatës së Apelit Durrës për lirimin e Lulzim Berishës është bërë mollë sherri mes opozitës dhe maxhorancës, kjo edhe për shkak të publikimit të një letre të kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako që kërkonte lirimin e tij me garancinë se do punësohej në Bashki.
Ndërkohë më 15 dhjetor, Prokuroria e Durrësit nisi hetimet për lirimin nga qelia të Lul Berishës. Prokuroria po heton për praktikat gjyqësore kryesisht për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” që liruan Lulzim Berishën, ndërsa shqyrton vendimet e dhëna nga Gjykatat në lidhje me uljen e dënimit, pasi sipas prokurorisë së Durrësit ka dyshime për veprime në kundërshtim me ligjin. Gjithashtu do të hetohen dhe për praktikat administrative të ndjekura nga ana drejtuesve të Bashkisë së Durrësit, në bazë të të cilave është vendosur me lirimin me kusht të të dënuarit Lulëzim Berisha.
BW/d.i.