Prokuroria dyshon se një nga emrat e përdorur nga kryebashkiaku i Kavajës është edhe Enver Rroshi-i hetuar nga DEA në vitin 2015 për trafik droge dhe pastrim parash. Për të verifikuar këtë fakt, Prokuroria ka nisur letër-porosi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nga Lindita Çela
Elvis Rroshi, kryetar i Bashkisë së Kavajës dyshohet të jetë hetuar nga Agjencia Amerikane e Antidrogës, DEA në vitin 2015 për implikim në trafik droge dhe pastrim parash. Byrime zyrtare të Prokurorisë i thanë BIRN se organi i akuzës ka dërguar letër-porosi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe po pret përgjigjen për të vendosur nëse ka ose jo vend për hetime të reja ndaj kryebashkiakut të Kavajës.
Në janar të vitit 2016, prokuroria shqiptare nisi hetimet mbi të shkuarën e Roshit në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. Pas pesë muajsh hetime, Prokuroria urdhëroi arrestimin e tij me akuzën e “falsifikimit…” në formularin e vetëdeklarimit.
Sipas Prokurorisë, Rroshi kishte përdorur pesë emra të ndryshëm në disa vende të Europës. Hetuesit kanë dyshime se një nga emrat e përdorur është edhe Enver Roshi-njeriu që është hetuar nga DEA.
“Në vitin 2015, DEA/US ka informuar autoritetet zvicerane se po hetonin një shtetas të quajtur Enver Rroshi për trafik droge dhe pastrim parash,” tha të martën në një deklaratë për mediat drejtoresha e kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm, Fjorida Ballauri.
I kontaktuar me telefon dhe adresën elektronike, Rroshi nuk iu përgjigj në kohë pyetjeve të BIRN mbi akuzat që rëndojnë mbi të.
Elvis Rroshi është një nga tre të zgjedhurit, të cilët Prokuroria i cilëson në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit për shkak se kanë deklaruar të dhëna të rreme në funksion të ligjit të dekriminalizimit. Bashkë me të, Prokuroria kërkoi ndërprerjen e mandatit edhe për deputetët Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami.
Sipas Prokurorisë, Roshi nuk ka deklaruar një dënim të vitit 1995 në Itali, një dëbim nga Zvicra në vitin 1993 pasi është ndaluar nga policia e Zyrihut për një rast droge dhe një dëbim të dytë nga Zvicra në vitin 1997. Sipas Prokurorisë, ai ka fshehur gjithashtu faktin se ka përdorur pesë emra të ndryshëm në lëvizjet e tij në Europë.
Elvis Rroshi vazhdon të jetë kryetar i Bashkisë së Kavajës, ndonëse në maj të vitit 2016 ai deklaroi publikisht dorëheqjen, që nuk u zyrtarizua asnjëherë. Pas arrestimit me akuzën e “falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”, gjykata vendosi hetimin e tij në gjendje të lirë. Rroshi u rikthye në krye të Bashkisë pas shuarjes së masës së arrestit.
Elvis Roshiu zgjodh kryebashkiak në vitin 2011 si kandidat i Partisë Socialiste. Që nga koha që ai garoi për bashkinë e Kavajës, Rroshi u akuzua nga Partia Demokratike se kishte të shkuar kriminale dhe se kishte ndërruar emrin nga Ervin në Elvis.
Në qershor 2015, një investigim i BIRN zbuloi se Rroshi qe arrestuar për drogë dhe më pas i dëbuar nga Zvicra në mesin e viteve ’90. Si Rroshi ashtu edhe kryeministri Rama e mohuan këtë fakt, duke deklaruar se ndryshimi i emrit të tij kishte lidhje me emigrimin e tij të paligjshëm.
Debati mbi pastrimin e politikës nga elementë me të shkuar kriminale lindi gjatë vitit 2014, kur Partia Demokratike në opozitë denoncoi se në radhët e mazhorancës ka deputetë dhe zyrtarë të lartë me rekorde kriminale. Pas një marrëveshjeje politike të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët, ligji i dekriminalizimit u votua me konsensus në parlament./BIRN/a.m.