Komisioni Evropian i ka paguar Shqipërisë 13 milionë € si shpërblim për performancën dhe progresin e deritanishëm në zbatimin e reformës për punësim dhe aftësi (6 milionë €) dhe reformën e administratës publike (7 milionë €).
Përmirësimi në politikat dhe praktikat e punësimit është thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm dhe përfshirës të Shqipërisë. Lidhur me shtimin e transparencës së administratës publike, përgjegjshmëria dhe efektiviteti i sektorit publik janë thelbësore për t’u shërbyer më mirë qytetarëve dhe bizneseve, për arritjen e rezultateve në reformat strukturore, si dhe për zbatimin e acquis dhe praktikave më të mira të BE-së.
Këto reforma mbështeten nga një total prej 30 milionë € për zbatimin e strategjisë për punësim dhe aftësi dhe 32 milionë € për reformën e administratës publike. Mbështetja e përgjithshme financiare në kuadrin e programit kombëtar të BE-së në Shqipëri për periudhën 2014 -2020 është në masën 650 milionë € para grantesh.
Investimi te njerëzit dhe arsimimi i tyre në mënyrën e duhur dhe konkurruese për tregun aktual të punës është investimi më i mirë që mund të bëhet për të ardhmen e Shqipërisë. Programe më të mira dhe më efikase punësimi ndihmojnë për mbylljen e hendekut mes nevojave të tregut të punës dhe kompetencave të punëkërkuesve shqiptarë, si dhe lehtësojnë krijimin e mundësive për punë, sidomos për të rinjtë dhe grupet vulnerabël apo të margjinalizuara. Një cilësi më e fortë e sistemit të arsimit profesional mbështetet krijimin e një force pune më kompetente, dinamike dhe kompetente, duke i mundësuar vendit të bëhet më konkurrues në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.
Shqipëria ka bërë progres të qëndrueshëm dhe të prekshëm në zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2014 – 2020, me një ndikim pozitiv në punësimin e të rinjve dhe grave. Kjo është arritur përmes forcimit të kuadrit ligjor, diversifikimit të mundësive për punë, investimeve në cilësinë e shërbimeve trajnuese profesionale dhe arsimore, si dhe rritjen e shërbimeve të tregut të punës.
Zbatimi i Strategjisë së Reformës së Administratës Publike 2015-2020 gjithashtu ka arritur progres dhe mbetet një përparësi kyçe për agjendën e anëtarësimit. Përmirësimet në procesin e rekrutimit për një shërbim civil profesional, të bazuar në merita dhe të depolitizuar, përmes procedurave të standardizuara dhe rritjes së transparencës ka nisur, por duhet vazhduar për të përmirësuar imazhin dhe qasjen e sektorit publik si punëdhënës i një stafi të ri, të kualifikuar, kompetent, të motivuar dhe me integritet, të aftë t’u sigurojë shërbime cilësore qytetarëve dhe bizneseve në një mënyrë transparente, efektive dhe efikase.
Operimi i një portali publik konsultimesh e ka bërë procesin e politikë-bërjes më të hapur për qytetarët. Forcimi i kuadrit ligjor ka standardizuar procedurat administrative dhe së bashku me automatizimin e vazhdueshëm të shërbimeve dhe përdorimin e teknologjive moderne ka rritur përgjegjshmërinë dhe ofrimin e shërbimit për publikun.
Komisioni Evropian e inkurajon Qeverinë Shqiptare të vazhdojë përpjekjet e saj në zbatimin e vazhdueshëm të reformës për punësim dhe aftësim dhe reformës së administratës publike, duke shtruar rrugën drejt një tregu pune përfshirës dhe efektiv, një force pune konkurruese, si dhe një administrate publike profesionale dhe të përqendruar te qytetarët në Shqipëri. Dhënia e mëtejshme e fondeve nga Komisioni Evropian për këto reforma varet nga progresi i kënaqshëm, vlerësimi i ardhshëm i të cilit pritet në pranverë 2017.
Është në interesin më të mirë të qytetarëve, instituteve kërkimore dhe gjithë aktorëve jo-shtetërorë që të angazhohen më intensivisht për të marrë pjesë në jetën publike për krijimin e një shoqërie më të mirinformuar dhe një administrate publike më të përgjegjshme.