Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimet ndaj dy deputetëve të Qarkut të Vlorës, Dashamir Tahiri PD dhe Shkëlqim Selami LSI, si dhe ndaj kryetarit të Bashkisë së Kajavës, Elvis Roshi, pasi preken nga ligji i dekriminalizimit. Prokuroria e Përgjithshme pas verifikimeve te thelluara, ka konkluduar, se dy deputetët dhe kryebashkiaku janë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit.
Sektori i posaçëm i “Verifikimit të Integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” në Prokurorinë e Përgjithshme, në bazë të kërkesave të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, ka kryer verifikim të thelluar, në bazë të të cilit ka konkluduar se janë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të detyrës, funksionarët:
1. Dashamir Tahiri, me funksion “Deputet”
2. Shkëlqim Selami, me funksion “Deputet”
3. Elvis Rroshi, me funksion Kryetar i Bashkisë Kavajë
Në mënyrë të përmbledhur, Sektori i “Dekriminalizimit” në Prokuroria e Përgjithshme ka siguruar të dhënat, se Dashamir Tahiri, me funksion “Deputet” rezulton se nuk ka deklaruar në formularin e “Dekriminalizimit” të dhëna:
– Në vitin 1995 është raportuar nga policia në Foggia për krime lidhur me falsifikimin e parave;
– Në vitin 2009 është dënuar nga Gjykata në Ravena (për të vuajtur 9 muaj burgim) për përdorim të një leje drejtimi shqiptare të falsifikuar.
– Subjekti është kontrolluar disa herë nga policia;
–
Tahiri ka dhënë shpjegimet e tij në Sektorin e “Dekriminalizimit”, duke deklaruar se nuk ka qenë në dijeni të dënimit me burgim në Ravena. Ndërsa, lidhur me procedimin për “fallsifikim parash”, ka deklaruar se bëhet fjalë për një episod në autostradë, kur ai është mashtruar nga një kamarier lokali, i cili i ka dhënë para fallse.
Po sipas Prokurorisë, edhe Shkëlqim Selami, me funksion “Deputet”, rezulton se nuk ka deklaruar në formularin e “Dekriminalizimit” të dhëna për një masë sigurimi “arrest me burg”, nxjerrë ndaj tij nga ana e gjykatës së Brindizit, si i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale që merrej me “Trafikim të qënieve njerëzore”. Masa ndaj tij është dhënë në vitin 1994 dhe është ekzekutuar në vitin 2006. Në kuadër të kësaj mase, ai ka qëndruar një javë në paraburgim në Brindizi dhe më pas është lënë i lirë, në vijim të hetimit.
Dekriminalizimi prek edhe Elvis Rroshin, me funksion kryetar i Bashkisë Kavajë, rezulton se nuk ka deklaruar në formularin “Për Dekriminalizimin”, si vijon:
– Një dënim për veprën penale të “Përdhunimit” në grup, në vitin 1995 në Itali
– Nuk ka deklaruar përdorimin e disa emrave në Zvicër
– Në prill 1993 ka hyrë në mënyrë të paligjshme në shtetin zviceran dhe ka kërkuar azil, 14 maj 1993, është ndaluar nga policia e Zyrihut për një rast droge dhe është dëbuar 4 muaj më vonë.
– Në korrik 1997 ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme dhe ka kërkuar azil. Në gusht 1997 është dëbuar sërish.
– Në vitin 2015 DEA/US , ka informuar autoritetet zvicerane se po hetonin një shtetas të quajtur Enver Rroshi për trafik droge dhe pastrim parash.
Në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar zyrtarisht mbi rezultatet e verifikimit Komisionin Qendror te Zgjedhjeve, duke konstatuar se subjektet deklarues të mësipërm përfshihen në fushën e ndalimit të parashikuar në nenin 2, pika 1, gërma a) dhe pika 2, gërma a) dhe b) të ligjit.
Për të tre këto raste, krahas konstatimit të kushteve të ndalimit për ushtrimin e funksionit, Prokuroria ka nisur edhe hetimet për veprën penale të “Fallsifikimit te for,ulareve, neni 190 I Kodit Penal..
Ndërkohë, po vijon procedura e verifikimit në kuadër të ligjit “Për dekriminalizimin” edhe për një numër të konsiderueshëm zyrtarësh.