Kasëm Kaçi ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë vlerësoi punën e bërë në drejtim të profesionalizimit të policisë. Sipas tij, policia shqiptare është sot më e fortë dhe më profesionale.
“Ishte një kënaqësi e veçantë. Jam shumë i emocionuar. Shumë faleminderit zotit Ministër që na dha këtë mundësi të takohemi. Unë ju uroj me shpirt e me zemër gjithë efektivët e Policisë. Janë në këmbë e në ofensivë të përditshme, në luftë kundër krimit të organizuar dhe kundër çdo të keqe për të siguruar rendin dhe qetësinë. Unë jam i bindur që kjo Polici që sot është e pajisur me të gjitha mjetet teknike-shkencore dhe aftësitë profesionale do të përballojë me sukses të gjitha situatat që do paraqiten përpara. Nuk ka nevojë që Policia Shqiptare të merret nga dikush për dore. Jo. Sot ajo është bërë e fortë, profesionale, e vullnetshme. Me shpirt e me zemër punojnë për të siguruar rendin dhe qetësinë publike“, tha ai.
Nga ana e tij, ministri Tahiri tha se ky është një moment për t’u angazhuar para drejtuesve të Policisë së Shtetit ndër vite deri tek çdo qytetar për të reformuar akoma më shumë Policinë.
“Unë personalisht jam shumë i nderuar që jam këtu me të gjithë drejtuesit e Policisë Shqiptare ndër vite – nga më veterani deri tek Haki Çako që sot drejton Policinë e Shtetit. Sot është 90-vjetori i krijimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ky ishte një rast për mua dhe për të gjithë ne, për të gjithë punonjësit e Policisë sot, për të nderuar kontributin e të gjithë atyre që kanë drejtuar apo punuar në Policinë e Shtetit në të gjithë këto vite. Pra plejadën e nderuar të të gjithë atyre që kanë sakrifikuar, punuar me vetëmohim për të bërë Shqipërinë që sot ne jetojmë. Ky është gjithashtu një moment për t’u angazhuar, sigurisht para drejtuesve të Policisë së Shtetit ndër vite, deri tek çdo qytetar për të punuar akoma më shumë, për të bërë akoma më shumë, për të reformuar akoma më shumë Policinë, për t’i shërbyer akoma më shumë qytetarëve, për të pasur rezultate shumë më të forta në luftën kundër krimit, paligjshmërisë, informalitetit. Dhe për të ndërtuar sot Shqipërinë që ëndërrojnë sot qytetarët shqiptarë. Pra, këtu pas meje është e gjithë plejada e drejtuesve të Policisë ndër vite. Janë njerëz që kanë sakrifikuar për të pasur Policinë që kemi sot. Ndaj unë përulem me shumë respekt para të gjithëve ju, për gjithçka keni bërë. Ju falenderoj në emër të të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit. Dhe ju siguroj, që gjithçka keni ëndërruar dhe keni punuar për të bërë në Policinë e Shtetit, ne me shumë vullnet dhe me shumë forcë do ta bëjmë realitet, duke punuar ditë për ditë për qytetarët shqiptarë”, tha Tahiri.