Nga Ben Andoni
Kuptimi i fjalës “skandal” në Shqipëri është i njëjtë me atë që përcjell fjalori ndërkombëtar me leksikun politik. Pra, një incident i publikuar që përcjell turp apo fyen ndjenjat morale të shoqërisë; Një person, institucion apo rrethanë që shkakton ose duhet të shkaktojë turp apo zemërim; Dëmtimi i reputacionit apo karakterit shkaktuar nga zbulimi publik i një sjellje imorale apo të rëndë e të pahijshme. Një mori gjërash që në fund të gjitha kulmojnë me diskretitimin e normave morale të shoqërisë apo kodit etik.
Një i tillë kod etik është thyer pak ditë më parë nga Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, që nuk është mjaftuar vetëm me aktin e ndihmës ndaj një të akuzuari për vrasje, por ka vazhduar duke justifikuar lirimin e tij. Qesharake, por më shumë e dhimbshme.
Në të njëjtën kohë, në Shqipërinë e Mesme prej ditësh, banorët rreken t’i tregojnë qeverisë por edhe po apelojnë me tone ta larta prej shpërthimeve që mëtohet se po i realizon Bankers. Por, sërish s’ka asnjë përgjigje. Disa të tilla të vagullta, si në rastin e parë, e bëjnë skandalin jo thjesht të duket i zakonshëm, por edhe fare i natyrshëm.
E pak ditë më parë, ish-kryeministri i vendit Berisha, pohon se mund të qëllonte kryeministrin aktual, në demonstratën e 11 Janarit. Dhe, sërish, Prokurori i Përgjithshëm shqiptar hesht, hesht e hesht mbi dosje.
Flitet për skandalin e përgjimeve në Shqipëri, që e nisi në kohën e saj PD-ja në Ministrinë e Mbrojtjes, kurse tani akuzohet maxhoranca e sotme, por Komisionet parlamentare ngritur me këtë qëllim jo vetëm nuk respektohen, por të thërriturit si dëshmitar tallen paq. Ndërkohë, Kryetari i Komisionit bën show.
Akuzat lidhur me CEZ-in që vendosin në pozicion shumë të rënduar ish-kryeministrin Berisha kalojnë me hoka, ofendime dhe tallje me Kryetarin Balla, paçka se në tryezë janë akuza konkrete. Ministri aktual i Energjisë para të njëjtit Komision, përqesh nën-kryetarin e Opozitës.
Lista është kaq e gjatë e skandaleve, por të gjitha, pak orë më vonë kthehen në normalitet, saqë duket sikur shoqëria shqiptare ka nevojë të patjetërsueshme për t’u ushqyer me skandal. Të akuzuarit apo ata që provohen realisht në faj, jo vetëm nuk u bën përshtypje fakti, porse angazhohen në mohimin e fakteve ose më e thjeshta e shtyjnë. Kurse publiku duket se i pranon normalisht, madje, këta janë heronjtë e sotëm. Këta janë modelet për të rinjtë, për të fituar me pamundim, për t’u bërë dikushi etj.!
Kjo e bën leksikun skandal, që pak e pak, të trajtohet si leksik normal, kurse shoqëria jonë të zhytet e zhytet në një bjerrje morale që nuk po mbaron dhe nuk i dihet fundit. (Javanews)