I ashtuquajturi drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriç e ka ftuar Mirjana Jevtiçin, ish-zëvendësministre për Punë e Mirëqenie Sociale, të mos e pranojë postin e ministres në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) nga posti i të cilës është shkarkuar Lubomir Mariç, transmeton Koha.net.
Në këtë funksion Mirjana Jevtiç është emëruar me vendimin e kryeministrit Mustafa. “Ftoj të gjithë përfaqësuesit e serbëve, të cilët për një grusht pushtet, në emër të popullit tonë, kanë marrë pjesë, bashkë me Thaçin e Mustafën, në ndërrimin e përfaqësuesve legjitimë në kohën kur ministrat serbë kanë ngrirë pjesëmarrjen në institucionet krahinore, që ta revokojnë këtë vendim”, ka thënë për “Veçernje Novosti” Marko Gjuriç.
Sipas tij, Mariç është ndërruar kundër dëshirës së përfaqësuesve të popullit serb në Kosovë, i cili, sipas Gjuriçit, e ka kryer mirë punën e vet.
“Përfaqësuesit serbë duhet të bisedojnë se si të zgjidhet ky problem por jo duke bërë bisedime e të fshehta me shqiptarët. E ftoj Jevtiçin të mos e pranojë emërimin”, ka thënë Gjuriç, citohet Koha. (b.an)