Ligji për amnistinë e rreth 700 të burgosurve ka qenë sot tema e debatit në Komisionin parlamentar të Ligjeve, nga ku i ftuar, Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka sqaruar se kush do të jenë kategorikë e personave që do të përfitojnë lirinë.
Manjani është shprehur se amnistia ka si qëllim që t’u japë të burgosurve një shans për barazi para ligjit, duke shtuar se është në interes të vendit që “ “viti i ri të na gjejë me reformë në drejtësi të filluar”. Manjani tha se nga amnistia nuk do të përfitojnë përsëritësit, vrasësit apo ata që kanë dhunuar në familje.
“Amnistia e fundvitit nuk ka për qëllim të ulë mbipopullimin në burgje. Por ka një specifikë, ndryshimi i shpeshtë i legjislacionit.
Ne do t’i japim shans të gjithëve për barazi para ligjit. Në sistemin tonë kemi mbi 6000 persona. Duam që viti i ri të na gjejë me reformë në drejtësi të filluar.
Ka disa kategori të dënuarish që nuk përfitojnë nga amnistia. Zyrtarët publikë nuk përfitojnë. Nuk përfitojnë përsëritësit, as vrasësit. Po kështu nuk amnistohen dhunuesit në familje. Janë 670 persona të dënuar që lirohen nga amnistia”, tha ministri Manjani./java/a.k