Ato janë plot 33 në Parlamentin e Shqipërisë dhe janë organizuar që prej vitit 2013 në një grupim përtej partive politike, në Aleancën e Grave Deputete. Ngritën zërin së bashku dhe ia arritën të jenë 50% të përfaqësuara edhe në këshillat bashkiakë dhe këtë duan ta arrijnë edhe në zgjedhjet e 18 qershorit 2017. “Ne ia kemi dalë të tejkalojmë ato dyshime dhe atë lloj egoizmi që shumë herë burrat nuk e tejkalojnë dot”, tha për “Gazeta Shqiptare”, kryetarja e kësaj Aleance, Mesila Doda.
“Zëri i grave është sigurisht më i fortë. Përderisa flitet për Aleancën e Grave si argument, si faktor, kjo do të thotë që është shumë më tepër. E vetmja gjë që ka dëmtuar bashkëveprimin e aleancës kanë qenë pozicionet e ndryshme politike. Lufta politike kuptohet që ka kundrapozicione. Por, fakti që ne jemi paraqitur mirë ka të bëjë me atë se ne kemi paraqitur zëra alternativë, por edhe kemi tejkaluar atë pjesën e luftës politike që thashë”, thekson Doda. Albana Vokshi, deputete e PD-së, Mimoza Hafizi ish-deputete e PS-së e tashmë si nismëtare e partisë më të re LIBRA si dhe Silva Caka, deputete e LSI-së flasin për sfidat që kanë përballuar dhe që kanë si pjesë e këtij grupimi brenda parlamentit, por veçmas grupimeve politike kryesore.
Albana Vokshi: Po lobojmë të rrisim përfaqësimin në parlamentin e 2017
Sa e suksesshme ka qenë Aleanca e Grave Deputete në propozimin e nismave parlamentare dhe në çuarjen e tyre deri në miratim nga parlamenti?
Mund të them që është hera e parë që një grupim joformal deputetesh nga të gjitha partitë politike parlamentare ka punuar dhe ka pasur arritje të prekshme në mbështetjen dhe promovimin e grave në shoqërinë shqiptare. Mbështetur në 3 shtyllat kryesore: promovimi politik, fuqizimi ekonomik dhe luftimi i dhunës me bazë gjinore. Aleanca e Grave Deputete (AGD) është parë edhe si një model i institucioneve që lobojnë për të drejtat e grave. Ky formacion ndërpartiak ia ka dalë të miratojë disa nisma ligjore, që kanë fuqizuar rolin e grave dhe vajzave në vendimmarrje dhe kanë ofruar më shumë mbrojtje ligjore për viktimat e dhunës në familje. Aleanca e Grave Deputete ka ofruar ekspertizën gjinore për të gjitha projektligjet e votuara në parlament me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e grave dhe vajzave. Këtu mund të përmend: Kodin e Punës, projektligjin për birësimet në Republikën e Shqipërisë, Kodi Zgjedhor, Shërbimi Social etj..
Sa mund të ndikoni si aleancë, tashme kur po diskutohet reforma zgjedhore, për rritjen e numrit të grave në parlamentin e ardhshëm?
Iniciativë e AGD, por falë mbështetjes së pari të kryetarit të PD, z. Lulzim Basha e më pas edhe të kryetarëve të partive të tjera parlamentare, si dhe lobimit të anëtareve të AGD pranë formacioneve të tyre politike u arrit edhe ndryshimi i Kodit Zgjedhor, duke përcaktuar detyrimin e kuotës prej 50% në listat e kandidatëve për këshillat bashkiakë. Për herë të parë u kërkua përfaqësim i barabartë në institucionet bashkiake të vendimmarrjes. Dhe si rezultat, në këshillat bashkiakë kemi një numër shumë herë më të madh të grave dhe vajzave, krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Sot, në Këshillin Bashkiak të Tiranës, 53 për qind e anëtareve janë gra dhe vajza, në Durrës 47 për qind dhe në rang vendi afro 40 për qind. Listat me përfaqësim të barabartë gjinor dhe përqindja e lartë në këshilla e rrëzuan pretendimin diskriminues të burrave se në bashkitë e vogla nuk mund të promovohen gratë dhe vajzat për të drejtuar institucionet e vendimmarrjes. Rritja e kuotës së grave në listat për deputetë në parlament është një sfidë përfaqësimi, që dëshirohet të arrihet edhe në zgjedhjet politike të 2017-ës. Me sa jam në dijeni, Aleanca e Grave do të zhvillojë një sërë takimesh në lidhje me paketën e propozimeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Puna ka nisur. Secila prej nesh po lobon me forumet politike për të rritur kuotën e përfaqësimit të grave dhe vajzave në parlamentin e 2017-ës. Sigurisht, kjo sfidë është më e vështirë, pasi rezistenca është më e madhe se në zgjedhjet lokale. Kjo, sepse shumë burra rezistojnë që të lënë disa prej hapësirave që i kanë monopolizuar, mbase padrejtësisht, prej shekujsh… Në këtë kuadër, Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë ka organizuar një sërë takimesh me strukturat në degë të ndryshme të saj, iniciativë që mbështetet edhe nga Forumi i Gruas së Partive Popullore Europiane. Kjo seri takimesh, ku diskutohet për rritjen e kuotave të grave dhe vajzave në pushtetin qendror dhe vendor dhe lidhjen e kësaj rritje me rritjen e politikave në mbështetje të grave do të vijojë deri në fund të këtij viti. Në përfundim, konkluzionet dhe propozimet përkatëse do t’i dërgohen kryetarit Basha dhe forumeve drejtuese të Partisë Demokratike.
A është bërë më i fortë në Kuvend zëri juaj pas këtij organizimi?
Mendoj që Aleanca e Grave Deputete ka qenë shumë aktive dhe e suksesshme në të paktën dy shtylla të saj; në rritjen e përfaqësimit të grave dhe vajzave në politikë dhe në luftimin e dhunës me bazë gjinore. Për këtë dua të përgëzoj Kryesinë e AGD: znj. Mesila Doda, kryetare; znj. Mimoza Hafizi, nënkryetare dhe znj. Silva Caka, sekretare e AGD për përku-shtimin e tyre për ta shndë-rruar Aleancën e Grave Deputete në një lëvizje të fuqishme për të drejtat e grave, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. Nga Tirana, Prishtina, Tetova e Ulqini është kërkuar më shumë vëmendje për të drejtat e grave dhe vajzave për të rritur përfaqësimin e tyre në politikë, vendimmarrje dhe për të luftuar çdo formë të diskriminimit gjinor. Në Parlamentin e Shqipërisë, në disa raporte monitorimi është theksuar se paketat ligjore janë trajtuar edhe në këndvështrimin gjinor. Instituti i Studimeve Politike dhe WDN-Rrjeti për Demokracinë e Grave të Institutit Ndërkombëtar Amerikan referojnë në studimet e tyre rritjen e numrit të grave në debatet parlamentare dhe theksojnë se ka një artikulim shumë herë më të lartë të tematikave gjinore, sociale, krahasuar me parlamentet paraardhëse. Disa prej lëvizjeve në partitë parlamentare janë ndërmarrë nga gratë parlamentare. Vendimet e tyre politike mund të konsiderohen edhe si një test se Aleanca e Grave Deputete ka nxitur edhe promovimin e grave në lidership.
Silva Caka: Kemi ndikuar në përmirësimin e rolit të gruas
Sa e suksesshme ka qenë Aleanca e Grave Deputete, në propozimin e nismave parlamentare dhe në çuarjen e tyre deri në miratim nga parlamenti?
Aleanca e Grave Deputete, në themel të punës së saj ka 3 objektiva: a) Fuqizimin ekonomik të gruas.
b) Rritjen e pjesëmarrjes së saj në vendimmarrjen politike në nivel vendor dhe qendror. c) Luftën kundër dhunës në familje (specifikisht dhunën ndaj grave).
Mjetet dhe mënyrat që përdoren për arritjen e këtyre objektivave janë të shumta dhe të ndryshme dhe si një nga mjetet, patjetër janë edhe iniciativat e ndryshme ligjore, të cilat përmirësojnë jetën dhe rolin e gruas shqiptare në shoqëri. Aleanca e Grave Deputete, me të gjitha anëtaret e saj ka ndërhyrë në disa projektligje, të cilat janë rishikuar nën optikën e përmirësimit të pozitës së gruas, nën optikën e barazisë gjinore. Kodi i Punës është tashmë shumë më favorizues ndaj grave, si rezultat i ndërhyrjes së grave deputete për ta përmirësuar këtë Kod dhe për ta vënë atë sa më shumë në shërbim të garantimit të të drejtave të grave, në kushte normale, në rolin e kryefamiljareve apo grave shtatzëna.
Gjithsesi, nisma ligjore kryesore, që vlen të citohet është pa diskutim ndryshimi i Kodit Zgjedhor në prill të vitit 2015, 2 muaj përpara zgjedhjeve vendore, ndryshim i cili rriti kuotën gjinore të përfaqësimit të gruas në listat zgjedhore të partive politike, nga 30% në 50% jo vetëm të listës totale, por edhe përcaktimit të 1 në çdo 2 emra të listës. Gjithashtu, ky ndryshim suprimoi edhe gjobën famëkeqe që subjektet politike zgjedhore paguanin në rast të mosrespektimit të dispozitave të Kodit Zgjedhor mbi kuotën gjinore.
Tashmë, subjektet që nuk respektojnë kriterin e Kodit Zgjedhor për kuotën gjinore, nuk ia hedhin dot më me një gjobë, por janë të detyruara të tërheqin mbrapsht listat dhe t’i përmirësojnë. Në rast se kjo nuk ndodh, atëherë Kodi Zgjedhor detyron Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të mos pranojë listat zgjedhore të këtyre subjekteve, duke i përjashtuar kështu nga procesi zgjedhor.
Mimoza Hafizi: Aleanca më dha guximin të veproj
Sa mund të ndikoni si aleancë, tashmë kur po diskutohet reforma zgjedhore për rritjen e numrit të grave në parlamentin e ardhshëm?
Aktualisht, në Kuvendin e Shqipërisë është ngritur Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore, i cili do të bëjë ndryshimet e nevojshme, bazuar edhe në rekomandimet e OSBE/ODIHR, për një proces sa më demokratik dhe të ndershëm. Besoj se Aleanca e Grave Deputete do të propozojë përsëri ndryshimin e kuotës së përfaqësimit të gruas në listat zgjedhore për zgjedhjet parlamentare tashmë. Gjithsesi, teknikalitetet dhe specifikimet për këtë propozim, do t’i ngelen momentit të hartimit të iniciativës. Ajo që është e rëndësishme për ne, është cilësia e grave që do të marrin mandatin e deputetit në 2017-ën. Megjithatë, duhet të mos harrojmë se një ndryshim i tillë kërkon një konsensus të gjerë shumëpartiak, i cili nga ana e LSI-së, garantoj që nuk do të mungojë.
Jemi në kohën kur po diskutohet reforma zgjedhore. Çfarë ka mundur të bëjë Aleanca e Grave Deputete në këtë kuadër?
Aleanca e Grave Deputete e ka pasur linjë kryesore përfshirjen në rritje të grave në politikë. Aktualisht, në prag të reformës zgjedhore ka një përpjeke nga një grup zonjash deputete për të çuar në 50% përfshirjen e grave në listat e kandidatëve në zgjedhjet e ardhshme. Në fakt, kjo përpjekje nuk ka
kaluar ende nga Aleanca e Grave Deputete, por gjithsesi përbën një bazë të parë diskutimi, për një nismë që mund të ishte e pranueshme si nga mazhoranca, edhe nga opozita. Ne si forcë politike LIBRA, pavarësisht nga Kodi Zgjedhor, do të zbatojmë alternimin gjinor në listat tona të përfaqësimit, duke respektuar barazinë gjinore.
Juve si deputete, sa forcë ju dha kjo Aleancë në lëvizjen që kryet, shkëputjen nga PS drejt krijimit të një partie të re?
Kjo Aleancë më ka ndihmuar shumë të jem aktive në politikë, përtej asaj çfarë e pata të mundur të bëj për aq kohë sa isha në mazhorancë. Kemi ndërmarrë nisma konkrete dhe shumë të dobishme për gratë shqiptare, që i shërbejnë progresit së të gjithë shoqërisë sonë. Kam pasur mundësi të njoh mjaft grupe interesi dhe grupe të shoqërisë civile, me të cilat bashkëpunuam për muaj e vite. Kjo Aleancë më dha
guximin të veproj edhe në debat me një pjesë të grupit ku isha pjesë, kur ishte fjala për të bashkëpunuar me deputetet e grupeve përballë.
Cilat nga nismat që ju keni marrë, të organizuara rreth kësaj Aleance, kanë triumfuar deri tani?
Ndryshimi i Kodit Zgjedhor në prill 2015 ishte nismë, ku unë kam pasur kontributin kryesor. Kjo nismë triumfoi dhe që nga qershori 2015, për këtë arsye, kemi 35% të këshillave bashkiake në Shqipëri të përbëra nga gratë, nga 12% që ishin më parë. Një revolucion në pjesëmarrjen e grave në politikën shqiptare.
(Gazeta Shqiptare)