Procesi i hedhjes së shortit për përzgjedhjen e tetë anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, më 9 dhjetor 2016, është paraprirë nga një debat i ashpër mes anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Thelbi i debatit ka qenë përjashtimi nga shorti i disa prej gjyqtarëve, për shkak se janë në prag pensioni.
kolegji zgjedhor
Edhe pse mandati i Kolegjit Zgjedhor është 4- vjeçar, disa nga anëtarët kanë kërkuar të mos jenë pjesë e shortit gjyqtarët e Apelit, të cilët dalin në pension gjatë kësaj periudhe. Sipas tyre, kjo prej faktit se me daljen në pension do t’u ndërpritej mandati. Gjatë diskutimeve, mes anëtarëve të ndarë në dy “kampe” është përmendur si precedent rasti i anëtares së ish-Kolegjit Zgjedhor, Sashenka Jonuzi, e cila qëndroi në detyrë jashtë moshës së pensionit.
Pasi është hedhur në votim, propozimi për të përjashtuar nga shorti tetë gjyqtarë të Apelit të cilët mbushin moshën e pensioni brenda ushtrimit të mandatit katë vjeçar është rrëzua me shumicë votash, 11 me tre, nga ana e KLD-së. Në vijim zbardhen pjesë nga procesverbali i mbledhjes, një kopje e të cilit është siguruar nga gazeta “Panorama”.
DEBATET NË KLD
Gerd Hoxha: Me ndryshimet e reja që ka pësuar legjislacioni, ligji “Për statusin e gjyqtarit” parashikon që gjyqtari del në pension… një nga rastet e mbarimit të mandatit është kur mbush moshën për pension. Legjislacioni i mëparshëm ka pasur një moshë, ka qenë 65 vjeç për gjyqtarët. Si për burrat edhe për gratë. Ndërkohë që legjislacioni i tanishëm, në mos gaboj, neni 40 i ligjit “Për statusin…”, nuk jam shumë i qartë, nuk parashikon një moshë fikse, por thotë që mbaron mandati kur mbush moshën për pension. Moshë fikse parashikon vetëm për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese e Gjykatës së Lartë dhe për Prokurorin e Përgjithshëm, që është mosha 70 vjeç. Kështu që i bie që ne të referohemi te Kodi i Punës, është një ligj që i rregullon marrëdhëniet, dhe ligji “Për sigurimet shoqërore”, që parashikon mosha të ndryshme për daljen në pension për burrat dhe moshë të ndryshme të daljes në pension për gratë.
Xhezair Zaganjori: Konstatoj që thuhet në Kodin Zgjedhor që kohëzgjatja e Kolegjit Zgjedhor është sa legjislatura. Është 4 vjet. Kështu që, unë them që nuk është problem vetëm evidentimi i personave që dalin shpejt në pension, por duhet të evidentohen…
Gjin Gjoni: … Ashtu siç kryetari i Gjykatës së Lartë e propozoi, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm sepse kemi pas një rast, i cili është diskutuar shumë në media dhe nga partitë politike, që ka qenë rasti i zgjatjes së mandatit të Sashenka Jonuzit, meqenëse mandati ishte trevjeçar në momentin e emërimit dhe për shkak të kësaj, ajo ka vazhduar të ushtrojë funksionet për shkak të qenies anëtare e Kolegjit Zgjedhor. Ky Këshill i Lartë i Drejtësisë nuk ka qenë prezent kur është hedhur shorti në lidhje me tetë gjyqtarët të cilët janë aktualisht në detyrën e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor dhe rezulton që nën drejtimin e ish-presidentit të asaj kohe dhe të Këshillit të Lartë të Drejtësisë janë përjashtuar një numër i madh gjyqtarësh, të cilët kanë qenë në prag të pensionit dhe nuk kanë pasur afatin katërvjeçar të mënyrës së ushtrimit të funksionit të tyre.
Bujar Nishani: Një informacion. Lista që është shpërndarë nga administrata është lista e të gjithë gjyqtarëve të gjykatave të Apelit, nga e cila janë përjashtuar 8 (tetë) gjyqtarët që aktualisht janë anëtarë të Kolegjit Zgjedhor dhe gjyqtari Petrit Aliaj, që rezulton i vetmi gjyqtar që ka nisur një procedim disiplinor. Pra, këta 9 (nëntë) gjyqtarë janë të përjashtuar nga kjo listë. …
Sokol Çomo: Pyetja ime është: Kush e ka bërë verifikimin e kësaj liste? Sepse ajo që kemi para është thjesht një listë emërore. Nuk ka asnjë strukturë të këtij Këshilli që të marrë dhe të na japë garancinë dhe të thotë “unë, struktura iks, kam bërë verifikimet e nevojshme dhe më rezulton që, në përputhje me kriteret ligjore në listë, këta duhet të jenë, këta s’duhet të jenë”, arsyet. …
Gjin Gjoni: Më fal tani, çfarë mund të thërras unë tani numrin 92 (se s’po ia përmend emrin për etikë), ta thërras 42 ditë përpara zgjedhjeve. I bie që zotëria në mars mbaron mandatin. Zgjedhjet bëhen 45 ditë përpara datës 18 qershor, që është vendosur me dekret të Presidentit të Republikës. Këtë zotërinë, pa e thirrur fare, megjithëse bën betimin, nuk më vjen fare në mbledhjen e konstituimit të parë, i bie që ne ta zëvendësojmë. … Në rast se ne do të bëjmë artifica të kësaj natyre dhe ne do të fusim Këshillin në një qerthull të panevojshëm, unë them që kështu ne do të shkojmë në kalendat greke. Nuk është zgjidhja kjo. Zgjidhja është kjo që, ato tetë veta që zgjidhen, nga dita e sotme, deri në përfundimin e legjislaturës, të qëndrojnë të tetë vetat në detyrë. Janë të mirë, janë të këqij. Na pëlqejnë, s’na pëlqejnë. …
Brunilda Kadi: Në fakt, unë do të flas për atë pjesën e gjyqtarëve që, sipas ligjit të ri, parashikimit të ri që duket sikur i ka çuditur të gjithë pasi duket që nuk e kanë ditur, e kanë plotësuar sot moshën për pension dhe ne nuk mund ta përjashtojmë këtë sepse, nëse Kolegji do të shkojë nesër dhe do të japë një vendim, ai mund të shpallet absolutisht i pavlefshëm pasi gjyqtari që ka mbushur moshën për pension sot dhe më përpara, nuk mund të japë asnjë vendim. Kështu që mendoj se nuk mund ta kapërcejmë këtë moment në asnjë lloj mënyre.
Albana Shtylla: … Nëse ne do të ecim me interpretimin që një Këshill i Lartë Drejtësie më parë ka pasur diskutime për këtë çështje lidhur me gjyqtarë, të cilët kanë qenë anëtarë të Kolegjit Zgjedhor, por që për shkak se janë anëtarë të Kolegjit Zgjedhor është diskutuar ndërprerja, nëse mund të quhet kështu, e mandatit si anëtar i Kolegjit Zgjedhor dhe më tej dalja në pension e gjyqtarit. Unë nuk mendoj që një praktikë apo një vendim i ndjekur nga një Këshill i Lartë Drejtësie më parë të konsiderohet si një praktikë, që duhet të na orientojë ne drejt një interpretimi për përjashtimet e gjyqtarëve në këtë short që neve do të organizojmë sot. Personalisht i mbetem qëndrimit që duhet të përfshijmë në listë të gjithë gjyqtarët. …
Artan Broci: Në fakt, gëzohem sot që përfaqësuesit e Kuvendit të Shqipërisë në këtë tryezë kanë ndryshuar qëndrim nga Kolegji Zgjedhor i djeshëm. Deri dje thoshin që po mbajnë pensionistët anëtarë të Kolegjit Zgjedhor, sot thonë jo, t’i mbajnë pensionistët. Nëse maxhoranca e djeshme ka ndryshime dhe ka devijanca për këtë çështje, kjo është çështje e tyre. … Ne kemi parasysh dhe do të flasim edhe me emra, rastin e mëparshëm të zonjës Sashenka, që ishte anëtare e Kolegjit Zgjedhor dhe kishte mbushur moshën e pensionit. Për shkak të këtij detyrimi, të Kodit Zgjedhor, Këshilli i Lartë i Drejtësisë u detyrua që ta mbante jashtë moshës së saj të pensionit (ta mbante në detyrë). Ka pasur goxha oponenca dhe ka pasur goxha pretendime nga opozita e atëhershme apo maxhoranca e sotme. … Ne nuk kemi sot mundësi apo luksin që të krijojmë një Kolegj Zgjedhor me gjyqtarë, të cilët kanë dalë në pension sipas ligjit, ose dalin për 6 muaj apo për 1 vit dhe ndërpresin mandatin e tyre 4-vjeçar. Ne e kemi luksin që në 92 gjyqtarë të zgjedhim 8 veta, të cilët plotësojnë kriteret ligjore, të paktën të moshës. Ne nuk i ndajmë gjyqtarët në Republikën e Shqipërisë nëse janë të majtë apo të djathtë. Por ama kriterin e moshës, ne ua përcaktojmë se ua përcakton ligji. Ua ka përcaktuar Zoti kur kanë lindur. Ua përcakton Zoti sa do të rrinë në detyrë. Ua përcakton edhe kur do t’i marrë. Por këtë minimum, ne mund ta zbatojmë. …
Bujar Nishani: Unë, edhe një herë, më duhet, vetëm për të shmangur tendencat për abuzim me opinionin, më duhet të përsëris për të disatën herë sepse tendencat për abuzim janë pambarim, përtej keqardhjes që anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë tentojnë të abuzojnë, kjo është një çështje individuale dhe nuk e shmangim dot. Po përsëris atë që thashë disa herë. Lista përfundimtare e atyre që do të kandidojnë a do të hidhen në short, do të përcaktohet me vendim përfundimtar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Gjin Gjoni: Nuk mundesh të jesh anëtar i Kolegjit Zgjedhor, po nuk qe gjyqtar dhe nuk mundesh që mandati i gjyqtarit të shtyhet për shkak të qenies anëtar i Kolegjit Zgjedhor. Tani, për sa u përket aspekteve të tjera të cilat janë aspekte procedurale, që unë i ditkam më mirë sesa këta funksionarët politikë që kanë ardhur në Këshill të Lartë të Drejtësisë. …
Sokol Çomo: I nderuar President, unë mendoj që edhe ju të moderoni pak diskutimin. Nuk ka anëtarë politikë ky Këshill sepse vetë kryetari i këtij Këshilli është një produkt i një zgjedhjeje politike. Që do të thotë, unë nuk mund të pranoj që ata që i përzgjedh Parlamenti si anëtarë të këtij Këshilli janë anëtarë politik. Nuk janë anëtarë politikë. E keni gabim. Këtu ka anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë që kanë për detyrë të zbatojnë Kushtetutën dhe ligjim. Fakti që disa anëtarë mundet të jenë përzgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, ku thashë, nga kryetari dhe anëtarë të tjerë, nuk janë anëtarë politikë.
Panorama/d.i.